Promovohen kullat qindra vjeçare në Mirditë, atraksion për të huajt [Video]

Improvizimi i dasmës tradicionale mirditore ka qenë mënyra që ka zgjedhur Bashkia Mirditë për të promovuar turizmin në këtë zone.

Të organizuar në një nga kullat më të vjetra të Mirditës në zonën e Kthellës, të ndjekur nga sytë kuriozë të dhjetëra turistëve, ardhur nga vende të ndryshme të botes, u ekspozuan produktet e zonës.

Elementët e detajuar të veshjeve, mënyra artizanale e gdhendjes së çiftelisë, bimët medicionale si dhe produktet gastronomike, morën vëmendjen e turistëve. vallja mirditore, e gërshetuar me zakonet e dasmës së krahinës, krijoi atmosferë në kullën qindra vjeçare.

Kryetari i Bashkisë Mirditë Ndrec Dedaj ftoi turistët të vizitojnë zonën, ndërsa Drejtori i Pallatit të Kulturës në Rrëshen Gjergj Marku renditi disa nga pikat pse duhet eksploruar kjo zonë, ndërsa shtoi se Mirdita po shndërrohet ndër destinacionet më të kërkuara turistike.

Dedaj: Deri sot, turizmi në Mirditë ka qenë turizëm spontan, pasi Mirdita ka një natyrë të mrekullueshme.

Marku: Është gjithë panairi i bërë në mënyrë fantastike. Ushqimi tradicional, kënga dhe muzika. Vallen e shqipeve do ta kërcejnë vetë turistët që nga Hong Kongu, Gjermania, etj.

Mirdita i ka përmbushur pritshmeritë e turistëve të huaj, të cilët e vlersojnë në maksimum sidomos për mikpritjen dhe natyrën.
Turiste: Më pëlqen vendi këtu në Mirditë, është i mrekullueshëm. Duke filluar nga natyra, gjithçka ka mbetur e paprekur, traditat janë ruajtur me fanatizëm nga banorët, të cilët janë shumë mikpritës.

Turiste: Është e mrekullueshme, më tërheq shumë kjo zonë, nuk kisha qenë ndonjëherë, muzika, veshja, ushqimi, janë ndër më të veçantët që kam parë, dhe kam udhëtuar shumë.

Turist: Vij nga Parisi, jam këtu për dasmën tradicionale mirditore, jam kuriozuar shumë dhe dua të shoh nga afër traditën shqiptare. Edhe natyra është e mrekullueshme, është gjë e mirë që keni ditur ta ruani.

Ndër motivet për të vizituar Mirditën, renditen edhe gastronomia e gërshetuar me folklorin, por edhe mikpritja vendase.