Opozita kërkon rihapjen e shkollës në Bardh të Madh

Fushë KosovëPostuar: 16:43 / 09.01.2019

Sipas tyre, rifunksionalizimi i këtij objekti do të mundë të shërbente si shkollë profesionale edhe për komunat për rreth, si: Obiliqi, Lipjani e Drenasi. Kjo, siç kanë thënë ata, do ta kthente këtë fshat në zonë ndërurbane dhe do të ndikonte në zhvillimin ekonomik. Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Durim Hajra, MASHT-i e Komuna nuk i kanë marrë parasysh as kërkesat e banorëve të këtij fshati, shkruan sot Koha Ditore.

“Për shkollën e cila ka qenë shkollë profesionale në fshatin Bardh të Madh, banorët kanë qenë kundër që të mbyllet, mirëpo vullneti i tyre nuk është marrë parasysh nga Ministria e Arsimit, por as nga udhëheqja komunale, ku edhe në atë kohë ka qenë po i njëjti drejtor i Arsimit”, ka thënë Durim Hajra. “Ne kemi kërkuar që ajo shkollë të funksionalizohet, pasi që do të ishte në dobi të banorëve të fshatit Bardh i Madh, pasi do ta kthente në një zonë ndërurbane, do të ndikonte pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik”.

Shefi i GK të VV-së ka theksuar se ai objekt është lënë të degradohet deri në atë shkallë saqë është e vështirë të rifunksionalizohet. Por, sipas tij, duke marrë parasysh që fshati Bardh i Madh është më i madhi në Komunën e Fushë-Kosovës, më mirë do të ishte që ajo hapësirë të shfrytëzohej për ndërtim të objektit të ri të shkollës apo edhe të ndonjë objekti për çerdhe publike apo punkt ambulantiv.