Prezantohen 70 projekte në dëgjimin e dytë publik me qytetarë

Fushë KosovëPostuar: 15:51 / 28.07.2017

Këto publikime u prezantuan gjatë dëgjimit të dytë publik me qytetarë, rreth ‘Planit të buxhetit 2018-2020’, të mbajtur në objektin e Komunës së Fushë –Kosovës.

Përveç qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës, të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin: përfaqësues të OSBE-së, organizata joqeveritare, asamblistë të Kuvendit të Komunës.
Ramadan Jashanica, Drejtor i Financave dhe Buxhetit në Komunën e Fushë-Kosovës, tha se përpjekjet e Komunës së Fushë-Kosovës do të vazhdojnë në përmbushjen e nevojave të qytetarëve në të gjitha sferat e mundshme (shkolla, asfaltime, kanalizime, ndriçime publike, ndërtim të shtëpive për rastet sociale, palestra sportive etj.).

“Janë gjithsej 70 projekte të cilat priten që të realizohen brenda kësaj periudhe kohore, e që janë projekte dhe investime të cilat ju interesojnë qytetarëve për ta ditur se nga po shkojnë investimet. Këto janë projekte të cilat janë bazuar në kërkesat e qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës dhe si prioritet kryesor i kemi projektet e lartpërmendura të cilat do të realizohen në fshatra dhe në qytet” tha Jashanica në këtë dëgjim publik.

Gjatë takimit qytetarët shtruan pyetje të shumta lidhur me problemet që i shqetësojnë ata, një ndër problemet kryesore është edhe çështja e ujit të pijshëm.

Jashanica të pranishmëve iu tha se në takimin e përbashkët që kishte Kryetari I Komunës z. Burim Berisha me z. Avdullah Hoti- Ministër i Financave, me z. Ilir Abdullahu - Kryeshef I Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe z. Arben Xhuka - Kryeshef I Korporatës Energjetike të Kosovës u dakorduan qe gypi i cili lidh Fushë-Kosovën me fabrikën e ujit në Shkabaj duhet te përfundoj në një afat sa më të shkurtër kohor kështu që çështja e ujit të pijshëm të zgjidhet një herë e përgjithmonë për banorët e Komunës së Fushë-Kosovës.

Gjithashtu përveç anëtarëve të Kuvendit Komunal, Kryetarin e Komunës z. Burim Berisha e falënderuan edhe qytetarët, për iniciativën dhe takimet e mëhershme në të cilat është diskutuar për çështjen e ngrohjes së qytetit.

Drejtori i Financave dhe i Buxhetit u tha të pranishmëve se shumë kërkesa tuaja që po parashtrohen në këtë takim, janë planifikuar dhe janë në realizim e sipër. Kërkesat tjera, të cilat vijnë nga ky dëgjim publik dhe nga dëgjimi tjetër i ardhshëm, do të inkorporohen në tabelën buxhetore për investime kapitale për vitin 2018. Dëgjimi i tretë publik do të jetë më: 25.08.2017 nga ora 10. Për këtë njoftim do të keni mundësi të informoheni me kohë përmes faqes zyrtare të Komunës së Fushë-Kosovës. /InfoKomuna/