Minxhozi: Kosova e para i doli në ndihmë Shqipërisë për vërshimet

Postuar: 14:19 / 08.12.2017

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka treguar për gjendjen pas vërshimeve në Shqipëri dhe dëmet që kanë ndodhur.

Minxhozi ka thënë se tash gjendja është stabilizuar por ka dëme të mëdha materiale.

Sipas tij, institucionet e Kosovës dhe bizneset kanë qenë të parët që kanë ndihmuar në këtë rast, duke ofruar ndihma konkrete.

“Kosova ka qenë e para që ka ofruar ndihmë edhe institucionale, por edhe individuale për zonat e prekura. Policia e Kosovës dhe FSK-ja kanë qenë të parat që edhe sot janë në gjendje të gatishmërisë për të ndihmuar me mënyra të ndryshme”, ka thënë Minxhozi.

Minxhozi ka potencuar se ka dëme të mëdha materiale në zonat e Fierit dhe Vlorës.

Ambasadori shqiptar në Kosovë ka treguar edhe një rast kur biznese të vogla nga Prizreni kishin nisur një iniciativë për të mbledhur ndihma për zonat e prekura nga vërshimet.

“Më takuan 20 biznese të vogla nga Prizreni që u treguan të gatshme për ndihmë dhe më vonë u bënë 500 biznese të vogla nga rajoni i Prizrenit ku kanë mbledhur 500 pako ushqimore për fshatin Ferras në Fier dhe kjo është një simbolikë shumë e madhe”, tha Minxhozi.

Ai ka përmendur edhe katër ura të hekurit që janë dërguar nga ana e FSK-së dhe ka treguar për 15 kontingjente me ndihma që kanë shkuar nga Kosova në Shqipëri për t’iu ndalë në ndihmë zonave të Fierit dhe Vlorës.