Ligji për Obiliqin më se i domosdoshëm

ObilicPostuar: 12:21 / 22.10.2016

Komuna e Obiliqit edhe pse gjendet afër kryeqytetit, ajo thuajse është e harruar tërësisht. Kjo komunë si bartëse të zhvillimit ekonomik të saj ka termoelektranat, minierat e thëngjilli dhe tokën bujqësore.

Mirëpo, si rezultat i shfrytëzimit të mese 72% të territorit të kësaj komune nga Korporata Elektro-energjetike, kjo komunë edhe pse i ka të gjitha këto potenciale për zhvillim, ajo nuk i gëzon asnjë të hyrë nga këto. Përkundrazi, ajo vetëm çka pëson nga aktiviteti i korporatës fitimprurëse, si në shëndetin e qytetarëve, në ndotje të ambientit e cila pamundëson kultivimin e shumë kulturave bujqësore.

Lidhur me këto probleme me të cilat ballafaqohet banori i kësaj komune po ashtu edhe vetw komuna, gazeta “Bota Sot” ka realizuar një bisedë me kryetarin e kësaj komune z.Xhafer Gashin, për të parë për së afërmi këto probleme.

“Bota Sot”: Sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin me institucionet në nivel qwndror, a jeni ndjerë ndonjëherë i diskriminuar nga ana e institucioneve qendrore për faktin se ju i takoni një partie opozitare?

Gashi: Faleminderit për kohën që keni ndarw që të jemi këtu së bashku që të bashkëbisedojmë rreth çështjeve të zhvillimeve që ndodhin në komunën tonë. Sa i përket çështjes së diskriminimit, ne nuk kemi pasur ndonjë vërejtje në këtë drejtim, sepse që nga momenti i marrjes së detyrës të Kryetarit, unë nuk përfaqësoj një subjekt politik, por përfaqësoj qytetarët e Komunës së Obiliqit. Ne kemi pasur aktivitete të ndryshme me nivelin qendror; me Kuvendin dhe Qeverinë. Kemi pasur gjithashtu Kryetarin e Kuvendit z.Kadri Veselin në vizitë në komunën tonë, vizitë kjo lidhur me harmonizimin e qëndrimeve sa i përket çështjes së Ligjit për Obiliqin, pastaj së bashku kemi vizituar disa zona të cilat janë më të prekura nga ndotja e ambientit. Gjithashtu, kemi pasur kontakt me të gjithë shefat e grupeve parlamentare të partive politike të cilat janë në Kuvend, duke filluar prej LDK-së, PDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes dhe Nismës.

Arsyeja e këtyre takimeve ka qenë kërkesa e përkrahjes së ligjit për Obiliqin, meqë është një zonë e ndotur, ndoshta zona më e ndotur në tërë Evropën. Pra, rreth 72% e territorit të Komunës së Obiliqit shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike, është nisur si iniciativë më herët, që ne pastaj e kemi vazhduar çështjen e ligjit. Kjo çështje është nisur nga Lëvizja për Bashkim në legjislaturën e kaluar. Fatkeqësisht, flas për qytetarët e Obiliqit që se patën fatin që të shkoj projekt ligji në leximin e dytë, që të shndërrohet në ligj, e kjo erdhi si rezultat i ndërprerjes së punimeve të Kuvendit. Pastaj është iniciuar prapë me nënshkrimin e deputetëve, sërish nga Lëvizja për Bashkim, përkatësisht deputeti z.Raif Qela, i cili i ka mbledhur nënshkrime bashkërisht edhe me subjektet e tjera politike, kjo është bërë me qëllim që të kaloj ligji. Tani mund të ju them se ai projektligj është në procedurë, pasi që leximin e parë e ka kaluar, tani është në pjesën e dytë. Kështu, mund të themi se ka qenë një bashkëpunim i mirëfilltë me Kuvendin. Po ashtu, kemi pasur edhe takime me Qeverinë, dhe mund të themi se kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, duke filluar prej Kryeministrit z.Isa Mustafa, ministrat dhe kështu me radhë.

Në këtë vit kemi pasur disa përfitime nga ministritw e ndryshme, duke filluar nga Ministria e Infrastrukturës, ku kemi përfituar një urë, që ka qenë projekt nëse mund të themi jetik me që ka qenë edhe problem politik, pra ndërtimi i urës që lidhë Plemetinin me Hamidinë, ku në fakt kjo urë lidh komplet artakollin. Ky projekt është realizuar falë angazhimit të përbashkët të Komunës dhe Qeverisë, përkatësisht ministrisë përkatëse. Shtëpia e Kulturës është një angazhim i përbashkët me Qeverinë, përkatësisht Ministrinë e Kulturës. Ne si Komunë kemi përfituar një donacion, sepse Komuna e Obiliqit ka pas që herët një Shtëpi të Kulturës që tani më është jashtë funksionit, por falw Ministrisë së Kulturës ne kemi përfituar dhe tani më jemi në proces të tenderimit, përkatësisht përzgjedhjes së operatorit.

Ne si Komunë kemi pasur fatin që sa ka qenë ministër i kulturës z.Memli Krasniqi, ne kemi realizuar përmbylljen përfundimtare të atij projekti me vlerë 2 milion e 20 mijë euro. Vlen të theksohet se ky projekt është nisur si proces qysh para tetë vitesh. Po ashtu një projekt tjetër me bashkëfinancimi me Ministrinë e Infrastrukturës, është rrethrrotullimi me trotuar së bashku me ndriçim, tek udhëkryqi në dalje të Obiliqit, përkatësisht tek Termocentrali Kosova A, i cili tanimë është në fazën e realizimit. Me Ministrinë e Arsimit gjithashtu kemi pasur bashkëpunim të ngushtë në disa raste. Pra, në tërësi ne si komunë kemi pasur një bashkëpunim të mirëfilltë me  Institucionet e Qendrës dhe sa herë që kemi pasur nevojë të kemi takime pune, ne e kemi pasur derën hapur, Që të jem i sinqertë, ne nuk kemi vërejtur ndonjë dallim në këtë drejtim me nivelin qendror sa i përket çështjes së përkrahjes, pra ajo nuk ka munguar asnjëherë.

“Bota Sot”: A mund të na thoni se si po funksionon koalicioni i cili po udhëheqë Komunën e Obiliqit, a është stabil?

Gashi: Ne jemi komunë e vogël, dhe herë pas here kemi edhe probleme në këtë drejtim, por mund të ju them se ato janë nga individë të caktuar. Sa i përket çështjes së funksionimit në Kuvend Komunal nuk kemi pasur as edhe një problem të vetëm. Edhe në këtë vit si praktik që kemi pasur para planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, jemi ulur bashkërisht, ku i kemi diskutuar të gjitha temat dhe projektet të cilat planifikohen për vitin vijues.

Pastaj ato kanë shkuar në komitet, ku nga atje janë kthyer në Kuvend. Vlen të theksohet që këtë vit kemi pasur një fat që komuna jonë falë ministrit të financave z.Hoti, jemi renditur në komunat e varfra apo nëse mund të them në komunat që kanë territor të zgjeruar dhe kanë numër të vogwl banorëve, ku nëpërmjet një ligji të veçantë, na u ka mundësuar që së bashku me disa komuna të tjera të kësaj kategorie të thithim një shumë prej 4 milionësh. Me këtë rast komuna jonë ka përfituar 517 mijë euro. Kjo nënkupton që është rritur buxheti për investime kapitale për vitin e ardhshëm, pra 70% së bashku me disa vija të tjera të shërbimeve dhe mallrave.

“Bota Sot”: Cilat janë projektet kryesore të cilat janë realizuar gjatë mandatit tuaj?

Gashi: Me të marrë mandatin, kemi aktivizuar palestrën sportive, projekt ky i nisur shumë kohë më parë. Ky aktivizim i saj është bërë me qëllim që të rinjtë tanë të zhvillojnë aktivitetet e ndryshme sportive. Shtëpia e të moshuarve, është një projekt tjetër i realizuar, projekt ky i cili është bërë në bashkëpunim me IOM-in. Një problem, i cili është trashëguar edhe në mandatin tonë është çështja e ujit në fshatrat Brezhnicë dhe Kozaricë. Është nënshkruar një memorandum mes komunës tonë, Komunës së Prishtinës dhe KUR Prishtina, ku edhe është realizuar ky projekt. Si projekte të tjera kemi disa anekse të shkollave, ndërtimin e  disa fushave sportive, renovime të disa shkollave. Po thuajse të gjitha shkollat në këtë komunë janë trajtuar me qëllim që të krijohen kushte më të mira për zhvillimin e mësimit.

Vlen të theksohet se në Gjimnaz dhe në Shkollën Teknike në Obiliq, kemi arritur që të shndërrojmë nga dy ndërrime në një ndërrim, gjë që po tregon një performancë të jashtëzakonshme në aspektin e ngritjes së cilësisë. Kjo është bërë duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat, të cilat kanë qenë të pashfrytëzuara duke krijuar kështu më shumë hapësira për mësim. Mund të themi se deri  në vitin e kaluar janë punuar gjithsejtë 58 rrugë, kryesisht nga komuna por edhe me bashkëfinancime, pra afërsisht 4.6 milion euro janë realizuar për vitin 2014/2015, investime këto të Komunës së bashku me donatorët e ndryshëm, përfshirw edhe Qeverinë.

Mbi 30 km janë mbuluar me ndriçim, mbi 15 km janë shtruar në trotuare, është bërë një brez i gjelbërt me drunj, dhe po ashtu po trajtohen shumë parqe të ndryshme, sepse Obiliqi ka më së shumti nevojë për to. Gjithashtu, kemi ndërtimin e urës që lidh fshatrat Plemetin-Hamidi, projekt ky që kap shumën prej 520 mijë euro, mjete që janë ndarw nga Ministria e Infrastrukturës, Shtëpia e Kulturës me vlerë prej 810 mijë euro, mjete këto ndara nga Ministria e Kulturës, Objekti i Komunës së re të Obiliqit, projekt ky i Bashkimit Evropian i filluar në vitin 2011, por që tani në dhjetor pritet të jetë i gatshëm për punë. Po ashtu jemi përfitues edhe të Qendrës së Regjistrimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku aktualisht është në fazën e përzgjedhjes së operatorit. Pra, kemi disa projekte të mëdha të realizuara dhe disa janë në përfundim e sipër.

“Bota Sot”: Çfarë i mungon sot Komunës së Obiliqit?

Gashi: E potencuam edhe më herët, Komunës së Obiliqit i mungon Ligji për Obiliqin, në mënyrë që të trajtohet si zonë e veçantë, meqë Obiliqi është një zonë që 72% e territorit shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike. Problemet e natyrave të ndryshme, të ambientit, të infrastrukturës, të sëmundjeve të ndryshme që shkaktohen nga këto probleme, janë jashtëzakonisht të mëdha.

Me ligjin që është paraparë për Obiliqin, ishte dashur që të trajtohen këto çështje dhe në momentin kur ligjin do ta gëzonte Obiliqi, ka mundësi reale që të përmirësohet situata e cila është krijuar në Obiliq. KEK daton që nga vitet e ’50-ta, ku si rezultat i amortizimit dhe i degradimit të ambientit që i bën në vazhdimësi, janë shkaktuar shumë probleme, duke filluar nga uji, toka dhe ajri. Me miratimin e ligjit që e trajton Obiliqin si zonë të veçantë, kemi kërkuar që nga tantiema e eksploatimit të thëngjillit të ndodh sikurse me ligjin për Trepçën, që është miratuar ditë më parë në Kuvend, pra 20% të tantiemës t’i kthehen qytetarëve të komunës së Obiliqit, pra në zhvillime në këtë zonë.

“Bota Sot”: Ka pasur disa herë iniciativa që të ketë konsideratë ndaj banorëve të Obiliqit lidhur me pagesën e rrymës apo edhe punësimit në KEK, pikërisht për faktin se ata po pësojnë më së shumti nga aktiviteti i KEK-ut, e posaçërisht nga ndotja e ambientit, çfarë po bëhet në këtë drejtim nga ana e Komunës?

Gashi: Pikërisht Ligji do të jetë ai rregullatori i këtyre problemeve. Pra, kjo është një nevojë e domosdoshme që të kenë qytetarët e Komunës tonë. Qytetarët të kenë një mundësi më shumë sa i përket çështjes së trajtimeve shëndetësore ose parandalimeve të sëmundjeve që janë prezent në këtë zonë si rezultat i ndotjes së ambientit, po ashtu edhe çështja e punësimit që qytetarët tanë të kenë një prioritet në këtë drejtim.

Po ashtu, është edhe përgatitja arsimore, ku të ketë një planifikim të përbashkët në mes të Komunës dhe KEK-ut, për kuadrot që ata do të kenë nevojë në të ardhmen. Sa i përket punësimit në KEK, ne kemi një kërkesë të vazhdueshme nga operatori i KEK-ut. Mirëpo, të gjitha problemet po e potencoj edhe njëherë se ato do të trajtohen pas miratimit të ligjit, sepse vetëm në atë mënyrë mund të ketë lehtësime për qytetarët tanë. Por, deri atëherë ne shpresojmë që KEK-u, të reflektojw dhe të ketë prioritet çështjen e punësimit të qytetarëve të Obiliqit.

“Bota Sot”: Cilat janë raportet ndëretnike në Komunën e Obiliqit, pasi që dihet se në këtë komunë jetojnë edhe komuniteti serb dhe ai RAE?

Gashi: Ne kemi një zyre për komunitet këtu në komunë, dhe ajo funksionon qysh nga themelimi i komunës tonë pas luftës. Kemi raporte jashtëzakonisht të mira me këto komunitete. Është fat i mirë që këtë gjendje e kemi trashëguar nga e kaluara, pra nga paslufta e tutje. Mund të them, se nuk kemi pas ndonjë problem që vlen për tu theksuar për shkaqe të bindjeve politike apo të problemeve ndëretnike, normal ndodhin probleme si gjithkund, por marrw në përgjithësi nuk ka pas ndonjë problem të theksuar në këtë drejtim.

“Bota Sot”: A do të kandidohesh sërish për postin e Kryetarit të Komunës së Obiliqit?

Gashi: Nuk e shoh privilegj të jesh kryetar i ndonjë komune, e sidomos i një komune siç është Obiliqi. Unë më shumë e kam për si sfidë e cila gërshetohet me shumë probleme të natyrave të ndryshme siç edhe i përmendëm më herët, pra sa i përket ambientit, infrastrukturës dhe problemeve të tjera, ku çështja e punësimit të qytetarëve është një nevojë elementare etj. Unë do të kisha kandiduar nëse qytetarët e Obiliqit do ta kërkojnë një gjë të tillë. Pra do të isha i gatshëm që prapë të jem pjesë e rrugëtimit të ekipit për zhvillim të mëtutjeshëm të kësaj komune. Për ndryshe, jam i gatshëm, po qe se ka një alternativë tjetër cilado qoftë ajo të hap rrugë që të vazhdon me zhvillimin e Obiliqit.

“Bota Sot”: Së fundi a keni ndonjë mesazh për lexuesit e gazetës “Bota Sot”, në mesin e të cilëve janë edhe shumë banorë nga Komuna e Obiliqit?

Gashi: Mund ta them lirshëm që gazetën “Bota Sot”, kam filluar diku rreth vitit 1996 apo 1997 ta shfletoj, periudhë kjo kur unë kam jetuar në Perëndim, përkatësisht në Zvicër. Kam qenë disa herë pjesë e intervistave të gazetës tuaj edhe sa kam qenë në Zvicër, edhe gjatë periudhës së luftës, ku kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, ku kemi pas gazetarët e gazetës tuaj edhe në vendin e ngjarjes, përkatësisht në vendin e zhvillimeve të luftimeve, përkatësisht në Koshare ku isha edhe unë.

Unë ju përgëzoj për punën që ju keni bërë dhe po vazhdoni të bëni, sepse një pjesë e madhe e gazetarëve informohen apo shumicën e informatave po e plasojnë ‘copy-paste’ apo edhe shumë intervista po i realizojnë nëpërmjet telefonave apo mjeteve të tjera të komunikimit, gjë që po e dëshmon se ju nuk e bëni një gjë të tillë pikërisht për faktin e ardhjes tuaj këtu, ashtu siç kanë ardhur edhe kolegët tuaj në vendin e luftimeve në kohën e luftës. Ju përgëzoj për punën e palodhshme që ju po e bëni. Ju preferoj qytetarëve që gazetën tuaj ta shfletojnë, sepse ajo ka kredibilitet, dhe ndaj menaxhmentit tuaj nuk kam ndonjë vërejtje, andaj ju preferoj që të gjithë atyre që janë gazetëdashës që të vazhdojnë edhe më tutje në leximin e gazetës tuaj./BotaSot/