Ramadani: Situata me pandeminë po shkon drejt stabilitetit

Postuar: 13:19 / 03.06.2021

Javëve të fundit situata epidemiologjike në Kosovë, ka shënuar rënie, gjë kjo e cila po konsiderohet pozitive.

Zvogëlimi i rasteve të infektimeve të reja me COVID-19 por edhe i të vdekurve, ka bërë që në vendin tonë Qeveria e Kosovës të merr vendim për lehtësim të masave antiCOVID-19.

Infektologu Hamdi Ramadani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata me pandeminë në vendin tonë është duke shkuar drejt një stabiliteti.

“Për fat të mirë këto ditët e fundit në Kosovë, bazuar në të dhënat nga IKSHPK, situata me pandeminë është në një rënie të theksuar, me një rënie të rasteve të infeksioneve dhe rasteve me 0 vdekje, që është një gjë shumë pozitive. Numri i shifrave të infektimeve sic e quajmë ne në mjekësi me numrin një shifror, kjo tregon se gjendja e pandemisë në vendin tonë është duke shkuar në drejtim të një stabiliteti”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka përmendur dy faktorë që sipas tij kanë ndikuar në këtë stabilitet të gjendjes me pandeminë.

“E para: të gjitha ato masa që janë ndërmarr nga fillimi i këtij viti dhe vitit të kaluar, siç janë maska e cila duhet të përdoret edhe sot, pastaj mbajtja e distancës dhe higjiena, kanë qenë këto masa që kanë bërë që pandemia të ketë një rënie të kënaqshme në vendin tonë.

Faktori i dytë që ka ndikuar në uljen e rasteve të pandemisë, është se unë mendoj që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ka rënë në kontakt me virusin COVID-19 qoftë në mënyrë direkt ose indirekte. Shifrat nga IKSHPK-ja japin këto të dhëna, janë afro 600 mijë raste të dyshimta me COVID që unë mendoj se janë po ashtu pozitive sepse nuk janë bërë testimet e dyta”, u shpreh Ramadani.

Infektologu më tej theksoi se ajo që është gjëja më e rëndësishme është që tash ka filluar procesi i vaksinimit, dhe kjo e zvogëlon shumë mundësinë e infektimit, e po ashtu edhe bartjes së infeksionit nga personi që ka marrë vaksinën te personat tjerë.

“Këtu kemi të bëjmë me një imunitet kolektiv në vendin tonë. Imuniteti kolektiv dhe masat antiCOVID kanë bërë që situata të jetë më e stabilizuar”, tha Ramadani për Telegrafin.

Ramadani shtoi se situata me pandeminë nuk mund të mendojmë që është e kaluar dhe e përfunduar.

“Asnjë vend në botë nuk e ka shpallur që pandemia ka kaluar, edhe në ato vende ku vaksinimi ka arrit në 40 -50%. Vendi ynë është në situatë që të bëjë vaksinimin e masës, dhe deri sa kjo të arrihet në një përqindje mbi 65%, dhe mendoj që këtë përqindje nuk mund ta arrijmë para muajit tetor apo nëntor, e kur vaksinimi arrin shkallën e imunizimit të qytetarëve atëherë mund të jemi të sigurt që pandemia është në ulje dhe plotësisht e kontrolluar”, theksoi Ramadani.

Infektologu shtoi se ne duhet të vazhdojmë të jemi ende shumë të kujdesshëm, tashmë kur po vazhdojnë të paraqiten edhe variante të reja të virusit COVID-19.

“Tash kemi edhe variante të ndryshme që po paraqiten në vazhdimësi, dhe ky është element që ne duhet të jemi ende të kujdesshëm, dhe që vaksinimi duhet të jetë masiv sa më shumë dhe sa më shpejtë, dhe masat që janë përdorur deri tash duhet të vazhdojnë sikurse vazhdojnë edhe në vendet tjera”, u shpreh Ramadani.

Ramadani shtoi se ende kemi kohë për të luftuar dhe për ta mundur pandeminë COVID-19. /Telegrafi/