“Albanian Soul” i Shkëlzen Dolit sjell magjinë në sheshin “Skënderbej” të Tiranës
Postuar: 10:18 / 25.09.2017
Perlat e muzikës shqiptare nën tingujt e magjishëm të violinës së Shkëlzen Dolit, kanë përcjellë emocione të shumta në sheshin “Skëndërbej”.
Violinisti shqiptar i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, ka sjellë mbrëmjen e të shtunës në sheshin “Skënderbej” një show të mrekullueshëm muzikor unik.I shoqëruar edhe nga instrumentistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Vjena, Doli performoi muzikë për të gjitha grupmoshat dhe të gjithë artdashësit në sheshin e tej mbushur të kryeqytetit.
Në pjesën e parë të këtij koncerti, violinisti Doli përcolli magjishëm muzikën e trevave shqiptare, si ‘ Valsi i Lumturisë’, ‘ Vajta kalova gjithë Kalabrinë + Tarantelë nga Kalabres’, ‘ Pranvera në Prishtinë’, ‘ Rrisim jetën tonë’, Këngët e rinisë’, ‘Potpuri Korçare’.
Ndërsa në pjesën e dytë të koncertit, u performuan pjesë klasike të njohura nga anëtarë të Filarmonisë së Vjenës si ‘ Shostakovich: walzer nr. 2’, ‘ Tango: Jalousie’, ‘ Liszt: Ungarische rhapsodie’, ‘Debussy: Clair de Lune’, ‘Lara: Granada’, etj.
Me projektin e tij “Albanian Soul”, violinisti Doli synon të bëjë promovimin më të madh të muzikës shqiptare jashtë kufijve.