Artistët kanë pezulluar grevën në pritje të pagave me rritje

Postuar: 09:53 / 14.09.2018

Prej sot (e premte) punonjësit profesionalë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ata të Filarmonisë së Kosovës dhe ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” do t’i kthehen punës. E kanë pezulluar grevën në ditën e nëntë të saj, të enjten, kur edhe Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren nëpërmjet së cilës Ministria e Kulturës thotë se do t’ua rrisë pagat.

Dy ditë më parë s’e kishte futur fare në rend dite e madje në fund të javës së kaluar, Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore e kishte kthyer prapa me arsyetimin se Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në Kuvendin e Kosovës, shkruan Koha Ditore.

As të enjten nuk ka qenë në rend dite. Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e ka propozuar atë te “pikat e ndryshme” pasi kryeministri Ramush Haradinaj ia ka dhënë fjalën. Teksa ka kërkuar miratimin e saj, e ka cilësuar Rregulloren, “dokument të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e kulturës në Republikën e Kosovës”. Është miratuar pa asnjë debat, ani pse kryeministri Haradinaj ka pyetur nëse ministri i Financave ka ndonjë mendim për të.

Tri orë e gjysmë pas miratimit ministri Gashi ka thirrur “konferencë të jashtëzakonshme për media”. Miratimi i Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore në mbledhjen ia ka krijuar mundësinë MKRS-së që t’i rrisë pagat.

Por ndryshe nga ajo që ishte thënë në tetor të vitit të kaluar, se pagat do të jepeshin me rritje në formë retroaktive qysh nga një shkurti i këtij viti, tash është vendosur që për 228 punonjës pagat të jepen me rritje nga qershori i sivjetmë. Me këtë janë pajtuar edhe grevistët. Ekzekutimi i pagave me rritje do të bëhet prej nëntorit.

Ministrisë së Kulturës i duhet t’i ndërrojë të gjitha kontratat e punës me punonjësit profesionalë të institucioneve, në mënyrë që t’u dalin pagat me rritje.