“Berlinalja” thërret për prosperitet, Kosova pret sukses me “Në mes“

Postuar: 14:39 / 08.02.2019

Me këngën “The reason we are here” (Arsyeja përse jemi këtu) është hapur edicioni i 69-të i festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”. Në këtë formë njëri prej festivale më me nam të filmit në botë, të enjten mbrëma ka pritur kineastët në hapjen zyrtare.

Në sallën e “Berlinale Palast”, që është dominuar nga gratë, të pranishmit kanë uruar që sivjet festa e filmit të jetë edhe një thirrje për të menduar për gjërat që po ndodhin nëpër botë, të cilat shpërfaqen edhe nëpërmjet filmave që janë pjesë e këtij edicioni, shkruan sot Koha Ditore.

Por festivali që do të zgjatë deri më 17 të këtij muaji, do të presë edhe një prodhim kinematografik 100 për qind kosovar.

“Në mes” me regji të Samir Karahodës do të konkurrojnë për garën ndërkombëtare “Berlinale Shorts”, duke e bërë Kosovën për herë të parë pjesë të konkurrencës zyrtare. Këtë vit shtandi i Kosovës prej mbi 20 metrash katrorë është dizajnuar në atë formë që në secilën pjesë të tij paraqet filmin dokumentar të Karahodës me producent Eroll Bilibanin.

Historia kosovare që shpërfaqet në filmin dokumentar “Në mes” do të bashkohet me qindra histori të tjera nga anë të ndryshme të botës.

E pikërisht në hapje është folur për historitë e vendeve të ndryshme që shpalosen nëpërmjet filmave.