Bllokohet rritja e pagave, artistët drejt radikalizimit të grevës

Postuar: 11:58 / 12.09.2018

Punonjësit e kulturës kanë pritur që Qeveria e Kosovës të martën ta miratojë Rregulloren që i hap rrugë rritjes së pagave të tyre për 50 për qind. Por ajo as që ka hyrë në rend dite.

Ekzekutivi ia ka kthyer prapa Ministrisë së Kulturës me arsyetimin se Projektligji për pagat në sektorin publik – që është miratuar në mbledhjen e Qeverisë me tre shtator – tashmë është në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pikërisht për rritje të pagave, punonjësit e tri institucioneve qendrore të kulturës janë në grevë që nga tre shtatori. Përderisa ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se nuk heq dorë nga miratimi i Rregullores nga ana e Qeverisë, artistët kanë paralajmëruar radikalizim të grevës.

MKRS-ja ka ndryshuar Rregulloren e 2011-s për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. Miratimi i saj nga Qeveria do t’i jepte mundësi Ministrisë së Kulturës që t’i rriste pagat, siç kishte premtuar qysh në tetor të vitit të kaluar.

Këshilli grevist, që përfaqëson punonjësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ata të Filarmonisë së Kosovës dhe ata të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”, kanë krejt të tjera plane. Pos që greva do të vazhdojë, sipas Këshillit do të ketë edhe radikalizim.