Borxhi i Teatrit Kombëtar arrin në 100 mijë euro, rrezikohet funksionimi

Postuar: 15:37 / 01.03.2019

Teatri Kombëtar i Kosovës ka hiç më pak se 100 mijë euro borxhe. Pos aktorëve, regjisorëve e anëtarëve të tjerë të ekipeve të shfaqjeve u ka borxh edhe dyqaneve nga të cilat është furnizuar me materiale për kostumografi, skenografi e rekuizita. Me këtë gjendje, Teatri është në buzë të ndaljes së punës.

Bile, sipas menaxhmentit, nëse nuk do të punohej në mirëkuptim dhe mirëbesim në raport me palët që i kryejnë shërbime TKK-së, institucioni ka kohë që do ta ndalte punën, shkruan Koha Ditore.

Shfaqja “Destur – Blasfemi e ëmbël” është dhënë premierë më 17 dhjetor. Janë bërë më shumë se dy muaj prej asaj kohe dhe TKK-ja u detyrohet me 45 mijë euro ekipit të shfaqjes dhe disa furnitorëve. Nga e premtja e kaluar kanë nisur të bëhen disa pagesa për furnitorë.

Janë 55 mijë euro të tjera për realizimin e shfaqjes “Karnavalet e Korçës”, që është dhënë premierë të enjten e javës së kaluar. Vonesat e pagesave kanë filluar qysh nga qershori i vitit të kaluar. Asokohe Ministria e Kulturës u detyrua që t’i bllokojë llogaritë bankare të institucioneve pasi, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, nuk ishin të autorizuara nga Thesari i shtetit. Prej atëherë të gjitha institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore kanë pasur vështirësi sa i përket funksionimit. Por kjo gjendje TKK-në aktualisht është duke e çuar drejt bllokimit.

“Funksionimi është duke u bërë në mirëbesim e mirëkuptim. Puna do të bllokohej nëse unë personalisht nuk do të merresha vesh me artistët dhe nëse furnitori i institucionit nuk do të krijonte mirëbesim e nuk do të paguante shumë gjëra me para të tijat”, ka thënë Agim Sopi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Prej shtatorit të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës ka marrë përsipër që të kryejë të gjitha pagesat për institucionet.