Ferizaj me aktivitete kulturore për mërgimtarët

FerizajPostuar: 14:23 / 18.07.2017

17 aktivitetet kulturore do të shoqërojnë mërgimtarët në mjedise të ndryshme.Komuna e Ferizajt edhe sivjet ka përgatitur një agjendë të ngjeshur kulturore për nder të mërgimtarëve të cilët po i kalojnë pushimet në vendlindje, transmeton InfoKomuna.

Në një konferencë të organizuar për këtë temë, drejtori për Kulturë Rini dhe Sport Naim Ferati bëri të ditur se edhe sivjet është paraparë një numër i konsiderueshëm i aktiviteteve kulturore të cilat do të organizohen në ambiente të ndryshme dhe kanë për qëllimi të përçojnë vlera të ndryshme tek mërgimtarët.

Ai pohoi se temat që do të trajtohen nga data 27 korrik e deri më 6 gusht në takimet e shumta do të jenë të larmishme dhe do ta ofrojnë atdheun në mënyrën më të bukur posaçërisht para fëmijëve të mërgimtarëve.

“Gjatë ditëve që kemi planifikuar për t’i organizuar aktivitetet do të ketë ngjarje të shumëllojshme ku presim të na bashkëngjiten edhe mërgimtarët tanë që po i kalojnë pushimet këtu. Kemi paraparë mbajtjen e koncerteve të ndryshme , aktiviteteve që paraqesin trashëgiminë kulturore të Ferizajt , shfaqje teatrale e promovim të muzikës për fëmijë nga grupe të këtushme , e shumë aktivitete të tjera me vlera kulturore dhe artistike. Ne po synojmë që në aktivitetet që do të mbahen siç janë edhe takimet e qeverisë komunale e të kryetarit të Komunës Muharrem Svarqa, do të krijohen raste më të mira për njohje e bashkëbisedim si dhe paraqitje të nevojave e kërkesave nga të pranishmit” ka thënë drejtori për Kulturë , Rini dhe Sport Naim Ferati në këtë konferencë.

Në kuadër të aktiviteteve kulturore “Ditët e Diasporës” sivjet është planifikuar edhe një risi mjaft interesante ku do të anketohen mërgimtarët për përshtypjet , kërkesat apo dëshirat e tyre për sa kohë që do të qëndrojnë në Ferizaj.

Drejtori Naim Ferati shpjegoi me këtë rast se është parë e nevojshme që në bazë të këtyre anketave të përcaktohen edhe aktivitetet për vitet e ardhshme.

Pjesë e aktiviteteve nga data 27 korrik e deri më 3 gusht sivjet për herë të parë është edhe një aktivitet i lirë noti si dhe ngjitje të organizuara nëpër vendet apo majat me të larta të maleve për të promovuar kështu sa më shumë bukuritë natyrore që ka Kosova.
/InfoKomuna/