Vazhdojnë gërmimet në Kalanë e Harilaçit

Fushë KosovëPostuar: 19:51 / 19.07.2016

Kalaja e Harilaçit, nga viti në vit, po merr formën e një kompleksi atraktiv arkeologjik dhe tejet të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore arkeologjike, si dhe po bën të mundshëm promovimin dhe zhvillimin e turizmit kulturor.

Edhe këtë vit, ky projekt i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i komunës së Fushë-Kosovës, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe nga vetë komuna, po arrin që të nxjerr nga sipërfaqja pjesë të rëndësishme të këtij kompleksi arkeologjik.

Kalanë e Harilaçit e vizitoi një ekip arkeologësh, ekspertë nga Franca. Ata u informuan nga prof. Arben Hajdari – Arkeolog, për rëndësinë e kalasë dhe për ecurinë e punimeve që po zhvillohen.

Edhe Drejtoresha e Kulturës, znj. Nurije Avdiu, në një prononcim të saj, vlerësoi lart punët që po zhvillohen aty, duke shtuar se kjo kala veçohet nga kalatë e tjera si për nga ndërtimi i murit rrethues po ashtu edhe nga struktura e brendshme arkitektonike.

Profesor Arben Hajdari, Arkeolog, i cili po udhëheq punimet, tha se kalaja e Harilaçit hyn në grupin e kalave apo fortifikatave të rindërtuara dhe ndërtuara në Dardani nga Perandori Bizantin me origjinë dardane, Justiniani 527-565 pas Krishtit, të përmendura nga historiani bizantin i shekullit të IV, Procopi i Cezaresë në veprën e tij “De Aedificis” (mbi ndërtimet).

Përndryshe punimet në kala pritet të vazhdojnë deri nga mesi i muajit shtator./InfoKomuna/