Galeria Kombëtare e Kosovës me 13 mijë vizitorë në vitin 2017

Postuar: 11:49 / 12.01.2018

Numri i vizitorëve në Galerinë Kombëtare të Kosovës vitin që shkoi gati është dyfishuar në krahasim me atë paraprak.

Derisa më 2016 ekspozitat e hapura në këtë institucion i kanë parë 7 mijë e 581 vizitorë gjithsej, më 2017 ky numër është rritur në 12 mijë e 973 vizitorë. Këto të dhëna i ka dhënë Arta Agani, drejtoreshë e GKK-së, shkruan sot Koha Ditore.

Ani pse ky institucion nuk shet bileta, Agani ka thënë se vizitorët numërohen nga kujdestari i sallës ekspozuese të GKK-së.

Sipas saj, përveçse ka pasur rritje domethënëse të numrit të vizitorëve, është zgjeruar edhe rrjeti i publikut me grupmosha dhe prapavija profesionale që varion nga më të ndryshmet – jo vetëm publik i lidhur ngushtë me artin në veprimtarinë e tij.