Gjatë 2016-ës, teatrot e Prishtinës i vizituan mbi 66 mijë shikues

PrishtinëPostuar: 11:08 / 17.10.2017

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Kulturës për vitin 2016.

Ky publikim ofron të dhëna statistikore lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filarmonisë, ansamblit dhe qendrës kulturore për fëmijë.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ishte 137 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 15 320; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ishte 253 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 25 540; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ishte 80 premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 25 461.

Numri i ekspozitave të realizuara në Galeritë e Arteve ishte 32, ndërsa numri i vizitorëve ishte 14 582.

Numri i filmave të shfaqur në kinemanë ABC ishte 62, prej tyre 6 filma vendorë dhe 56 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 38 300; numri i filmave të shfaqur në kinematë Doku-Kino dhe DOKUFEST ishte 307, prej tyre 39 filma vendorë dhe 268 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 23 258.

Fondi i librave në biblioteka ishte 1 793 073, ndërsa numri i lexuesve ishte 278 201.

Numri i muzeve dhe shtëpive muze ishte 64, ndërsa numri i vizitorëve ishte 104 935. /InfoKomuna/