Ndalohen librat serbe për panairin e Graçanicës

GraçanicëPostuar: 19:04 / 19.06.2016

Panairi i librit, i cili është pritur të mbahet në Graçanicë nga 15 qershori deri më 1 korrik, është anuluar për shkak të ndalesës së hyrjes së librave në gjuhën serbe në Kosovë.

Edhe pse ndalesa e ministrisë së Kulturës të Kosovës zyrtarisht vlen vetëm për tekstet shkollore në gjuhën serbe, në Kosovë, sipas mediave serbe, nuk mund të hyjnë as librat që nuk janë tekste shkollore.

“Përveç kërkesës së dorëzuar me kohë, fillimisht Komunës së Graçanicës, e cila më 8 qershor e përcolli kërkesën në Ministrinë e Kulturës së Kosovës për të mundësuar kalimin e papenguar të librave përmes pikëkalimit kufitar në Jarinje, Ministria e Kulturës më 13 qershor deklaroi se nuk ishte kompetente për të vendosur”, thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga Shtëpia e Kulturës në Graçanicë, transmeton Koha.net

“I tërë procesi i është transferuar Ministrisë së Arsimit, e cila, gjithashtu ka thënë se as ajo nuk është kompetente për të vendosur, dhe i gjithë “rasti” i është kthyer Ministrisë së Kulturës”.

“Është e qartë se autoritetet kanë vendosur që përmes pengesave administrative dhe zhvatjes të pengojnë hyrjen e librave, dhe kështu këtë vit panairi i vogël i Graçanicës nuk do të mbahet”, thuhet më tej në këtë njoftim të cilin e përcjellin mediat serbe.

Shtëpia e Kulturës në Graçanicë thotë se institucionet në Prishtinë, pas tri vjetësh mbajtjeje të panairit në Graçanicë, komunë e cila nuk ka as librari, “qytetarëve të kësaj enklave, pranë Prishtinës, ua kanë hequr të drejtën që për, së paku, pesëmbëdhjetë ditë të jenë në mesin e librave”.