Haziri: Gjilani kryeqendra e kulturës në nivelin ndërkombëtar

GjilanPostuar: 10:49 / 17.10.2017

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur falënderimin e tij të veçantë dhe ka përgëzuar për angazhimet në fushën e kulturës, Ansamblin “Gjilani”, me rastin e pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare, në kuadër të festivalit Ballkanik, të mbajtura në Fushë Kosovë, ku edhe është shpërblyer me çmimin special të festivalit.

“Komuna e Gjilanit, gjithnjë ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar dhe mbështetëse e fuqishme e kulturës, e rinisë, e sportit dhe e të gjitha fushave të tjera të këtij dimensioni artistik. Kjo për arsye që Gjilani është kryeqendra e kulturës në nivelin mbarkombëtar dhe këtë po e dëshmon vazhdimisht. Kjo po vërtetohet çdo ditë nga ansamble, klube dhe organizime të tjera, që gjithnjë Gjilanin e ngritin në qytet të profesionalizmit dhe të konkurrencës së fuqishme në përfaqësime dhe gara të shumta shtetrore, rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë kryetari Haziri, raporton InfoKomuna. 

Ai në veçanti ka uruar Ansamblin “Gjilani” për çmimin, derisa ka garantuar mbështetje dhe përkrahje për të ecur përpara drejtë sukseseve tjera që Gjilanin dhe qytetarët e saj i bëjnë krenar.
 
Kurse kryetari i Ansamblit “Gjilani”, Nehat Ferati, ka thënë se sukseset gjithnjë do të jenë të vazhdueshme, kur anëtarët e ansamblit janë të këtij niveli të lartë profesional dhe me përkushtim të madh për të punuar çdo moment që përfaqësimi, pavarësisht në cilin nivel, të jetë dinjitoz.
 
“Në garën ndërkombëtare, Ballkanike të mbajtur kësaj radhe në qytetin e Fushë Kosovës, Ansambli “Gjilani”, ka marrë çmimin special të këtij festivali si Ansambli më profesional dhe me paraqitje të lartë artistike. E gjitha kjo vjen si shenjë e mbështetjes dhe e përkushtimit që Komuna e Gjilanit i ka kushtuar kulturës dhe hapësirës më të mirë për artin në përgjithësi. Sukseset tona janë të garantuara, sepse në ansamblin tonë kemi pothuajse të gjithë anëtarët nga akademia e Musikës, që e bënë këtë trupë të veçantë dhe me përgatitjet më të larta profesionale”, ka thënë mes tjerash Ferati.
 
Ai ka potencuar edhe suksesin e arritur në pranëverë nga ky ansambël, ku në garat Ballkanike të mbajtura në Shkup kanë zënë vendin e dytë dhe në garat në Bullgarri, të mbajtura para pak kohësh vendin e parë. /InfoKomuna/