Instilacion me thirrje artistike për ditën e zgjedhjeve

Postuar: 10:17 / 20.10.2017

Fushata parazgjedhore për kryetarë të komunave në Kosovë dhe shumë procese të tjera politike në vend janë bërë inspirim për artisten Alketa Xhafa-Mripa që të ngrejë zërin për një çështje shumë të rëndësishme.

Përmes instalacionit të saj ajo thërret që të votohet, por me një kusht: “Voto për t’i dhënë fund varfërisë”, shkruan Koha Ditore.

Qysh në mëngjesin e së premtes shoqëria kosovare do të mundë të ballafaqohet me realitetin kosovar duke parë nga afër instalacionin e saj, i cili përfshin edhe fotografi të familjeve e njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme.

Ajo nuk ka zbuluar në detaje se si do të duket instalacioni i cili tashmë ka zënë vend në “Termokiss”, por thotë se kjo vepër artistike ka ardhur si inspirim nga zgjedhjet që do të mbahen të dielën. Instalacioni i artistes së njohur kosovare, e cila jeton në Londër, përkon me një tjetër ngjarje që do të zërë vend në “Termokiss”, ku do të ndahen çmimet e gazetarisë për varfëri nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Kam ardhur me një instalacion të ri i cili është i inspiruar enkas nga zgjedhjet”, ka thënë Xhafa-Mripa. Në një përshkrim që ia ka bërë veprës së saj ajo thotë se kjo është lufta vendimtare dhe se nuk ka të bëjë me bamirësinë, por ka të bëjë me drejtësinë.