“Javët e Frankofonisë” me aktivitete që promovojnë paqe e demokraci

Postuar: 13:30 / 06.03.2019

Prej të martës të gjithë ata që duan të njihen me botën frankofone, “Javët e Frankofonisë” janë ofertë me një gamë të gjerë aktivitetesh. Edicioni i 19-të, që edhe sivjet shtrihet jashtë kryeqytetit, do të zgjasë deri në fund të muajit.

Në një konferencë për media të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të pranishëm kanë qenë drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albert Prenkaj, zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, prej anës së Kosovës, e nga radhët e shteteve frankofone me fjalime iu drejtuan publikut ambasadori francez në Kosovë, Didier Chambert, ambasadori zviceran, Jean-Hubert Lebet, dhe shefi i misionit belg në Kosovë, Jean-Louis Servais.

Llojshmëri ngjarjesh, si shfaqje filmash, koncerte, konferenca dhe aktivitete gastronomike, që e begatojnë vendin me tingujt e bukur të gjuhës frënge, ka paralajmëruar drejtori i përgjithshëm i MPJ-së, Albert Prenkaj, shkruan Koha Ditore.

“Drejt frankofonisë të bashkuar” kanë qenë fjalët me të cilat ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, iu drejtua të pranishmëve.

Pjesë e veçantë e programit ka paralajmëruar se do të jetë inaugurimi i një ekspozite franceze në Kosovë, bashkëpunim mes Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Muzeut të Shkupit.

Aktivitetet e sivjetme në Kosovë përveç Prishtinës do të ndalen edhe në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Vushtrri. /InfoKomuna/