Klinë, nisin përgatitjet për Festivalin mbarëkombëtar 'I Këndojmë Lirisë'

KlinëPostuar: 13:49 / 19.04.2017

Në Klinë, kanë nisur përgatitjet për organizimin e Festivalit Folklorik mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili tashmë është bërë tradicional që nga pas lufta, i cili mbahet çdo vit, për tri ditë me radhë, më 6, 7 dhe 8 qershor.

Festivali Folklorik "I Këndojmë Lirisë", përkon edhe më ditëlindjen e njërit ndër komandantët më të shquar të UÇK-së, Mujë Krasniqit-Kapuçit, i cili ishte po ashtu edhe rapsod i njohur. Kësisoj, Festivali ka karakter konkurrues, dhe çmimi kryesor është ai i "Mujë Krasniqit", e po ashtu ndahet e "Çmimi i Publikut" dhe 12 çmime të tjera. Vlerësimin, si çdo vjet, edhe sivjet e bënë juria profesionale.

Në mbledhjen  Këshillit Organizativ , u vlerësua se Festivali për çdo vit ka shënuar arritje të larta, si për nga cilësia, masivizimi dhe pjesëmarrja e rapsodëve, grupeve, ansambleve, valltarëve dhe instrumentistëve nga të gjitha trojet shqiptare e diaspora. Skënder Behrami, tha se edhe sivjet në Festivalin Folklorik mbarëkombëtar, në skenë do të ngjiten artistë më të njohur nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva e diaspora e Kalabria. Sivjet Drejtoria artistike do t’i kushtojë rendësi seleksionimit të pjesëmarrësve në mënyrë që të prezantohen vlerat më të mirëfillta të folklorit burimor nga e gjithë gjeografia shqiptare.

Njëkohësisht, Skënder Behrami, paraqiti edhe raportin financiar të shpenzimeve për vitin e kaluar në shumë prej 18. 032. 25 euro. Ndërkaq, gjithçka ka qenë transparente dhe sipas rregullave të prokurimit. Edhe sivjet do të jetë pa ashtu dhe shpejtë do të shpallet tenderi për të gjitha projektet dhe pozicionet. Gjatë tri netëve sa mbahet Festivali, botohet edhe revista e Festivalit "LYRA", që përfshin kronikat e së cilës mbrëmje, raporte, shënime e materiale të tjera duke përfshirë edhe rubrikën e sportit për aktivitetet sportive.

/InfoKomuna/