Komuna e Prishtinës mbështet financiarisht 50 ngjarje kulturore

Postuar: 09:46 / 11.05.2018

Mbi gjysmë milioni euro “peshon” kërkesa e organizatorëve të ngjarjeve kulturore dhe pjesëtarëve të komunitetit artistik, të cilët i kanë kërkuar mbështetje financiare Komunës së Prishtinës.

As 20 për qind nuk arrin buxheti që ka në dispozicion Qeveria e kryeqytetit për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, shkruan sot Koha Ditore.

Komuna tashmë ka publikuar atë që e ka quajtur “Lista preliminare e përfituesve të subvencioneve për kulturë në fushat: organizime, manifestime, festivale dhe ekspozitë”. Për t’u zyrtarizuar pret nënshkrimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ashtu siç është, me vlerësimet e komisionit, në listë janë 88 kërkesa, por janë 36 sosh që nuk pritet të marrin mbështetje. Kësisoj 52 aktivitete kulturore, sipas kësaj liste, do të mundë të mbështeten nga buxheti komunal.

Lista është rezultat i thirrjes për të konkurruar për subvencione që ishte hapur tek në muajin mars, ani pse ishte thënë se një gjë e tillë do të ndodhte në mesin e muajit shkurt. Kjo gjë ishte arsyetuar me digjitalizimin e procesit të subvencioneve.

Yll Rugova, drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, një javë më parë kishte thënë se kanë qenë 127 projekte që prisnin përgjigje për subvencione.

Por zbritjen e këtij numri ai e ka arsyetuar me faktin se “janë larguar aplikacionet e sportit dhe të rinisë, që kanë aplikuar gabimisht në fushën e kulturës, si dhe disa raste të veçanta që duhet të rivlerësohen”.