Komunës së Prishtinës i propozohet një rrugë me emrin e Paul Newmanit

PrishtinëPostuar: 11:13 / 06.02.2018

Komunës së Prishtinës i është propozuar që njërën prej rrugëve në kryeqytet ta emërtojë me emrin e aktorit të njohur amerikan Paul Newman.

Këtë propozim e ka bërë aktori Lirak Çelaj, njëherësh kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Teksa e ka arsyetuar propozimin e tij, ka thënë se me këtë synon të nxisë debate e të flitet për njerëzit që i kanë ndihmuar popullit të Kosovës gjatë luftës së fundit. Njëri prej tyre kishte qenë pikërisht aktori tashmë i ndjerë Newman.

“Propozoj që në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës ta emërtojë një rrugë me emrin e aktorit të njohur amerikan Paul Newman, i cili gjatë luftës në Kosovë ka dhënë ndihma për refugjatët shqiptarë nga Kosova në vlerë prej 250.000 dollarësh”, ka shkruar Çelaj në profilin e tij në rrjetin e tij social në “Facebook”. Të hënën Çelaj i ka thënë gazetës se me këtë propozim Komunës së Prishtinës do t’i drejtohet edhe me shkrim.

Ndihma e Newmanit për Kosovën do të merrte jehonë ndërkombëtare.

Një tjetër personalitet i cili po ashtu kishte dhënë shumë për Kosovën qe edhe këngëtari i ndjerë George Michael, i cili kishte dhuruar 500 mijë funte.

Çelaj, njëherësh kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës, thotë se Newman e shumë të tjerë që bënë për Kosovën janë harruar. Pikërisht kjo është edhe arsyeja mbi të cilën bazohet propozimi i tij.