Kori i Filarmonisë u dha zë veprave të kompozitorëve kosovarë

Postuar: 11:33 / 09.10.2018

Duke marrë parasysh vështirësitë që të arrihet preciziteti që kërkon zhanri i muzikës tango, kompozitori argjentinas Martin Palmeri, para më shumë se 20 vjetësh kompozoi “Misa a Nuenos Aires – Mistango”, për kor.

Ai ka ruajtur gjuhën harmonike, ritmet dhe të gjitha karakteristikat e tangos brenda partiturave orkestrale, për t’i dhënë mundësi korit që ta këndojë meshën, shkruan Kha Ditore. Kjo meshë e stilit modern të dielën u interpretua edhe nga Kori i Filarmonisë së Kosovës.

Vepra kompletohet me solist, rol të cilin e pati sopranoja Arta Jashari, e po ashtu edhe fizarmonikë (Elton Balla), piano (Artemida Qarri-Haxhiaj) dhe orkestër harkore. Nën udhëheqje të dirigjentit kosovar, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, Kushtrim Gashi, kjo meshë njëherësh mbylli edhe edicionin e parë të festivalit “Prishtina International Vocal Festival”.

Kisha “Shën Ndou” u bë nikoqire e koncertit, që në pjesën e parë solli tri vepra të kompozitorëve të rinj kosovarë. Këto vepra janë përzgjedhur në kuadër të një konkursi të iniciuar nga festivali. Veprat fituese të këtij konkursi ishin “I nemun” nga kompozitori Ylli Daklani, “...rrugës” nga Memli Kelmendi dhe “Mother” nga Artan Hasani. Përmes këtyre tri veprave u vunë në pah qasja bashkëkohore e kompozitorëve të rinj kosovarë dhe fryma që sjellin ata. Ndërsa me meshën, mbrëmjes iu vu kulmi. Varësisht prej veprës ndryshonin edhe formacionet e korit, bashkë me ta edhe qasja muzikore.

Për dirigjentin dhe kompozitorin Rafet Rudi, ky koncert ishte i suksesshëm. Sipas tij, mbrëmja më shumë i është kushtuar rikthimit të dirigjentit Gashi në Kosovë.