Kosova ka afro 300 monumente të braktisura që i mbron me ligj

Postuar: 09:38 / 21.03.2018

Uzurpimi i hapësirave publike për t’i rifunksionalizuar ato, del të jetë një prej rrugëve që deri tash është treguar më efektivja në raport me qasjen ndaj objekteve të braktisura.

E deri në këtë gjendje, shumë hapësira publike kanë ardhur sherri i moskujdesjes institucionale, por edhe shkaku i mosaktivizmit qytetar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Thirrjet për interesimin e qytetarëve në raport me hapësirat publike kanë qenë pjesë e debatit “Hapësirat e braktisura të Kosovës”, që është mbajtur të martën në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, organizuar nga dega në Kosovë e organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

E sipas kësaj organizate, janë 262 objekte të trashëgimisë kulturore që janë braktisur nga shoqëria. Të gjitha mbrohen nga shteti si monumente. Kësisoj i bie që nuk shfrytëzohen 20 për qind prej 1.328 objekteve arkitektonike dhe arkeologjike në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Të dhënat janë të përfshira në librin “Hapësirat e braktisura të Kosovës - 50 tregime të një bote të harruar”, botuar nga “Trashëgimia...”, që u promovua të martën.

Udhëheqësi i kësaj organizate, Sali Shoshi, ka thënë se është paradoks që objektet janë të mbrojtura me ligj si asete të trashëgimisë kulturore, por janë edhe të braktisura. /InfoKomuna/