“Kosovatrans” një metaforë e një Kosove në tranzicion

Postuar: 12:07 / 24.01.2018

Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, në natën e saj të dytë ka vazhduar me ngjitjen në skenë, të Teatrit “Avdush Hasani” (Podujevë), që për publikun e pranishëm erdhi me shfaqjen “Kosovatrans”, një dramë psikologjike e me nuanca komike, që erdhi me autor e regji të Naser Shatrolli, e ku luajtën Ismet Azemi (Flamuri) dhe Faris Berisha (Arafati).

Ekip tjetër realizues i shfaqjes: Ermal Gërdovci - asistent i regjisë, Drinor Zymberi- muzika, Flutura Dedinja- kostumografia, Zeni Ballazhi- skenografia, Robert Nuha- koreografia, Ekrem Xhaka, dekorimi i  përgjithshëm i shfaqjes, Albert Gashi dhe Skender Latifi  - ndriçimi i shfaqjes.

“Kosovatrans”, është metaforë e përecjeve ballkanike para – gjatë dhe pas luftës. Në fokusin ideofabular të shfaqjes, është lufta e një çlirimtari dhe argumentet e një mërgimtari që do të saldohen në murin e peshës së kontradiktave historike. «A luftuat për të uzurpuar prona apo për të çliruar prona» – pyet i riu heroin?! «a jeni heronj siç dukeni në fotografi apo tinëzi fotoshopi»?! A jemi fatum i murit të lotëve hebraik apo arnim i shallit Palestinez, është pyetja qenësore e shfaqjes?!

Shfaqja "Kosovatrans", kishte dy personazhe në qendër të fabulës dhe rrjedhës së përgjithshme ideotematike. Flamuri, (personazh që luhej nga Ismet Azemi), në luftë ishte komandant, por tani vetëm një ish-komandat i harruar, i përbuzur e i injoruar, e në anë tjetër Arafati, (personazh që luhej nga aktori Faris Berisha), një i ri i rritur në Zvicër me botëkuptime moderne për jetën, e që kthehet në Kosovë.
 
Flamuri punonte në ndërtimtari, po ndërtonte një shtëpi apo edhe me idenë ta bëjë hotel, për t’ia lënë trashëgim fëmijëve, që në fakt, i kishte të zhdukur a vrarë. E, Arafati ishte biri i një gazetari të “Rilindjes”, që kishte raportuar edhe për Palestinën, dhe e vetmja trashëgimi e pikëpamjeve të babait është emri i tij Arafat, por për të cilin nuk ndante asnjë ndjenjë te veçantë.
 
Arafati vjen në Kosovë  dhe e gjen këtë vend plot me përmendore, e fotografi heronjsh në figurën e të cilëve shpesh ngrit dyshime. Patriotizmi i babait si mërgimtar, por edhe i Flamurit, si ish-komandant, që në luftë mbante nofkën “Tarzani”,  i dukeshin tejet patetike, prandaj edhe diskutimi mes tyre nxirrte në pah pyetje e dilema të shumta. Dilema për një tranzicion që po zgjat pafundësisht, dilema se kah do të jetë destinacioni i ardhshëm i vendit.
 
Arafati i rrëfen Flamurit realitetin e jetës moderne të cilën e jeton në Zvicër, duke bashkëjetuar në një kulm me djalin, ish-gruan, dhe të dashurin e saj, por që ky realitet, për ish komandantin ishte i largët, i pakapshëm dhe i papranueshëm për të...
 
Përndryshe, ashtu edhe siç është paraparë nga organizatori i Festivalit, pas shfaqjes kishim edhe debatin për shfaqjen, në të cilën, Qëndrim Kqiku, aktor, vlerësoi pozitivisht shfaqjen pasi tha se ajo arrit ta mbajë vëmendjen e publikut deri në fund, e Ylber Nuredini, nga paneli, ka pëlqyer lojën e aktorëve, por u shpreh kritik ndaj regjisurës që sipas tij, është dashtë t’i trajtojë deri në fund personazhet. Edhe Mio Gjoni nga Shqipëria tha se ishte një dramë hermetike që ka pas nevojë për qartësime e nënvizime të qarta dhe ishte kritik rreth përdorimit  të tepruar të elementeve të skenografisë, që për të, ngarkonin shfaqjen, ndërsa vlerësoi aktorët për lojën e tyre.  
 
Kurse, Josif Papagjoni, kritik nga Shqipëria, shfaqjen “Kosovatrans”, të Teatrit të Podujevës “Avdush Hasani”, e vlerësoi si një shfaqje të mirë. Sipas tij, u ndërtua një impakt racional me publikun. Papagjoni tha se drama ishte një shumësi idesh që shkriheshin për të dhënë dilema të trancizionit, dilema të njeriut të Kosovës.
 
Por, kritiku nga Shqipëria tha se teksti ishte shumë i ngjeshur me shumë tema  brenda vetës dhe sikur kjo e pengojë të jetë më i fuqishëm. Pra, sipas tij, shfaqja ishte emocionale, e mirë, e ndërtuar bukur për të ngacmuar në thellësi, por se do të ishte më mirë që të mos kishim shumësi temash të ngjeshura në tekst, por të kishte fokusim në një apo dy të tilla për tu fuqizuar kështu drama. 
 
Po ashtu kritika kishte të bënte edhe me domosdoshmërinë e pastrimit nga elementet të tepruar në mizanskenë. 
 
Përndryshe, Festivali i Dramës Shqipe“Talia e Flakës”, do të vazhdojë me shfaqjen e natës së tretë ku në skenën e Teatrit të Gjilanit ,do të ngjitet Teatri Shqiptar nga Shkupi me shfaqjen “G”, me autor Gjergj Fishta, e me regji e dramatizim të Sulejman Rushitit. /InfoKomuna/