Librashitësve në kryeqytet u dorëzohen kioskat e vendosura në shesh

PrishtinëPostuar: 10:13 / 28.09.2017

Librashitësit ambulantë të librit në dy sheshet e kryeqytetit, të mërkurën, janë siguruar që nuk do ta kalojnë dimrin në kushtet e rënda me të cilat janë përballur në 17 vjetët e pasluftës.

Ata i kanë marrë çelësat e kioskave të vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti” e atë “Nënë Tereza”, me shpalljen e rezultateve të thirrjes për aplikim për marrjen e tyre në shfrytëzim, që ishte bërë publike në korrik të këtij viti.

Tetë kioskat prej tri metrash katrorë - të vendosura qysh në prill të këtij viti - me vendim të komisionit të Komunës së Prishtinës u janë ndarë librashitësve ambulantë. Në përgjithësi, thirrjes publike i ishin përgjigjur 18 aplikues, prej të cilëve 11 individualë dhe 7 shtëpi botuese.

Sipas thirrjes publike, ata që synonin të zinin vend në “Këndet e librave” ishte dashur të dërgonin dëshmi se kanë shitur libra në sheshet e kryeqytetit së paku në tre vjetët e fundit. Ndërsa shtëpitë botuese kishin kritere të tjera, në mesin e të cilave edhe atë për kryerjen e obligimeve tatimore, arka fiskale dhe numri i titujve të botuar në tre vjetët e fundit.

Komisioni pesanëtarësh, i udhëhequr nga Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për planifikim strategjik dhe zhvillim të qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, ka bërë vlerësimin dhe ua ka dhënë në shfrytëzim kioskat e librit nëntë librashitëve ambulantë. Dy prej tyre janë pajtuar ta ndajnë të njëjtën kioskë.

Çmimi i kioskave aktuale të “Këndit të librave” ishte përllogaritur të jetë 5 mijë e 700 euro.