Nxënësit e shkollave të Lipjanit mësojnë për trashëgiminë kulturore

LipjanPostuar: 15:32 / 27.09.2016

Projekti i UNDP-së Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë (CBCPK), i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Policia e Kosovës organizuan të hënën një punëtori arsimuese me 45 nxënës të shkollave të mesme të Lipjanit.

Punëtoria mblodhi të rinj të etniciteteve të ndryshme të moshës prej 16 deri 18 vjeç që përfaqësonin pesë shkolla të mesme. Prezent në punëtori qenë edhe pesë profesorë të cilët patën rastin të diskutojnë rreth mundësisë së përfshirjes së trashëgimisë kulturore në kurrikulën shkollore.

Kapiteni i Policisë së Kosovës Drazo Bozovic, nga Njësiti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore u foli nxënësve rreth rolit dhe strukturës së njësitit të cilin ai e udhëheq me theks të posaçëm mbi rëndësinë e mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së vendndodhjeve të trashëgimisë të të gjitha etniciteteve në Kosovë. Prezantimi i Mentor Cakollit nga Njësiti për Komunitete të Policisë së Kosovës u përqëndrua në përdorimin e përgjegjshëm të mediave sociale. Ai gjithashtu i informoi pjesëmarrësit rreth rolit të policimit në komunitet dhe rëndësinë e bashkëpunimit në mes të policisë dhe komunitetit, sidomos me të rinjtë.

Pjesëmarrësit e punëtorisë patën rastin të vizitojnë edhe qytezën e Janjevës dhe shtëpinë muze të Atë Shtjefën Gjeçovit, veprimtarit, etnografit, arkeologut dheshkrimtarit të shquar.

Kjo është punëtoria e parë arsimuese nga një sërë që, në ditët e ardhshme, do të mbahen në Kamenicë, Ferizaj, Gjilan dhe Rahovec.