Marigona Qerkezi kalon provën gjenerale në skenën e Barcelonës

Postuar: 09:50 / 12.09.2017

Sopranoja kosovare që po bën karrierë nëpër botë, e ka kaluar provën gjenerale, me publik, në njërin prej teatrove më prestigjioze në Spanjë.

Marigona Qerkezi, të dielën mbrëma është ngjitur në skenën e “Gran Teatre del Liceu”, e veshur me petkun e rolit të Madama Cortese të operës “Il Viaggio a Reims” të kompozitorit Giachino Rossini, shkruan sot “Koha Ditore”.

Premiera e kësaj shfaqjeje në skenën e shtëpisë operistike që ndodhet në Barcelonë dhe ishte hapur qysh më 1847, do të jepet më 18 të këtij muaji.

“Prova gjenerale shkoi për mrekulli. Publiku ishte shumë i ngrohtë dhe duartrokiti gjatë”, ka thënë Qerkezi për gazetën të hënën, pas provës gjenerale me kastën e solistëve që udhëhiqet nga dirigjenti Giacomo Sagripanti. Regjinë e operës tre aktëshe të Rossinit në teatrin spanjoll e ka realizuar Emilio Sagi.

“Mezi po e pres debutimin më 18 shtator në këtë teatër fantastik”, ka shtuar Qerkezi.