Ndërhyrje dhe projekt përforcues në Kalanë e Gjirokastrës

Postuar: 15:05 / 20.02.2018

Kalaja e Gjirokastrës së shpejti do të ketë një ndërhyrje përforcuese. Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, siç raporton ATSh, inspektoi situatën së bashku me arkitektin Agron Doraci, një prej ekspertëve që ka ndërhyrë në kala vite më parë.

Gjatë inspektimet u pohua se çarjet në muret juglindore janë thellim i atyre të shfaqura vite më parë, dhe nuk e rrezikojnë kalanë e Argjirosë në Gjirokastër për momentin.

Për specialistët që shoqëronin ministren, çarjet në muret e anës juglindore të kalasë së Gjirokastrës janë të vjetra, por lëvizjet tektonike dhe reshjet e shiut të muajve të fundit kanë ndikuar që ato të thellohen. Ministrja Kumbaro, pas këtij inspektimi u shpreh se situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

“Inxhinierët janë duke punuar për të bërë projektin qoftë gjeologët, qoftë restauratorët, për të parë sesi do të ndërhyhet për fortifikimin dhe të parandalohet çdo avancim i mundshëm i këtyre krisjeve që nuk janë të reja e theksoj. Janë çarje të vjetra të viteve ’60”, tha ministrja Kumbaro.

Gjirokastra historike dhe mitike

Gjirokastra që ndryshe njihet edhe si qytet muzeal apo “qyteti i gurtë” është ndër të parat të pranuara në UNESCO. Arkitektura është një nga karakteristikat e veçanta, por simbol kryesor për këtë qytet është Kalaja e Argjiros.

Kalaja ka një sërë pikash atraktive, të cilat do të mund të vizitohen, dhe për të cilat duhen orë të tëra. Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.

Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.

Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos.Nga muret e kalasë së Gjirokastrës shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth.

Legjenda e Argjirosë

Kështjella njihet dhe me emrin kalaja e Argjirosë. Princesha Argjiro mendohet të ketë qenë sundimtarja e qytetit të Gjirokastrës gjatë shekullit XIV. Ajo ishte e martuar me princin e këtij qyteti. Princesha Argjiro luftoi me turqit kur ata rrethuan kalanë e Gjirokastrës. Megjithatë, turqit e morën Gjirokastrën me tradhti. Prandaj princesha Argjiro për të mos rënë e gjallë në duart e turqve, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë bashkë me djalin e saj foshnje.

Ajo ra mbi një shkëmb por djali i saj mbeti gjallë dhe për ta bekuar filloi të pikoj qumësht. Sipas legjendës thuhet se foshnja mbeti gjallë nga guri që pikonte qumësht. Legjenda thotë që emri i Gjirokastrës vjen pikërisht nga emri i princeshës.