Në galerinë “Monet” u hap ekspozita personale e Merita Malokut (Foto)

Postuar: 09:58 / 11.05.2018

Piktura e Merita Malokut nuk është figurative. Veprat e saj më shumë shprehen nëpërmjet ngjyrës. Dallohet qartë se ajo i jep rëndësi shkrirjes dhe lojës me nuanca. Në këtë formë krijohet një gërshetim mes abstraktes dhe reales, e në raste kalon edhe në ekspresionizëm.

Ftohtësisë me treshen dominuese – e kaltër, e bardhë dhe e gjelbër – piktorja i kundërpërgjigjet me të kuqe e të verdhë. Rezultati është një lloj baraspeshe në peizazhet e Malokut. Kujtime të fëmijërisë e të rinisë në qytetin e saj të lindjes, Pejës, dhe rrethinës janë shkrirë në pëlhurë, shkruan Koha Ditore.

Të enjten ajo hapi ekspozitën e saj personale me të cilën rikthehet para publikut pas një pauze prej 14 vjetësh. Në vitin 2004 kishte hapur ekspozitën e parë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”. Ndërsa tani muret e galerisë “Monet” u mbuluan me 20 punime të saja. E ka titulluar thjesht “Ekspozitë Personale: Merita Maloku”, sikur për të mos determinuar zbërthimin e veprave të saj, por që atë ta bëjë vetë publiku.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu ka bërë hapjen e ekspozitës teksa kujtoi momentet e para kur kishte hyrë në atelienë e Malokut dhe përshtypjet që pikturat e saja i kishin lënë. Veprat e saj i ka quajtur “dimensione mbresëlënëse”.

Veprat e Malokut i ka cilësuar krejt origjinale që shtrihen në pëlhurë vetëm si produkte të frymëzimit real.

“Unë jam nga Peja, jam e lindur dhe e rritur atje me një peizazh të bukur përreth, si Gryka e Rugovës, Radavci, Deçani e vende të tjera që ndoshta kanë ndikuar që unë ta adhuroj natyrën. Janë kujtime të kohës më të mirë të jetës sime, fëmijërisë e rinisë. Tani jam në një moshë që e kujtoj të kaluarën si diçka të bukur dhe mbase ato kujtime edhe i hedh në pëlhurë”, ka thënë Maloku.