Okteti “Peja” mrekulloi publikun në Teatrin “Istref Begolli”

PejëPostuar: 11:16 / 07.05.2016

Me një koncert live, në sallën e mbushur përplot, Okteti “Peja” ka shënuar 15-vjetorin e themelimit, një rrugëtim i gjatë me plot sfida e suksese.

Tetë burrat e këtijë Okteti janë ngjitur në skenën e Teatrit ‘Istref Begolli’ të Pejës, ku me një program të përgatitur profesionalisht për 2 muaj me radhë, kanë shfletuar historikun e rrugëtimit të tyre nëpërmjet këngëve dhe repertorit të zgjedhur.

E vogël ka qenë salla e Teatrit “Istref Begolli”, për të pranuar një numër aq të madh të dashamirëve të këngës së Oktetit “Peja”, të cilët me performacën e tyre, për më shumë se 50 minuta kanë ndarë emocion dhe muzikë me publikun pejan.

Nuk kanë munguar të marrin pjesë as përfaqësues të jetës politike si dhe ata të shoqërive tjera kulturo – artistike të qytetit.

Ali Berisha,deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetar i Komunës, i pranishëm në këtë eveniment, Oktetin ‘Peja’ e ka quajtur aset të rëndësishëm të Pejës.

Fjalët më të mira dhe kritikat pozitive për Oktetin ‘Peja’ pas koncertit i kanë ndarë edhe Ismet Peja dhe Ramadan Krasniqi – Dani, pjesë e publikut.

Koncertin dhe tërë organizimin në shënim të 15 vjetorit të themelimit, Okteti ‘Peja’ e ka prezantuar në forca vetanake, pa mbështetje as financiare e as infrastrukturore në tre vitet e fundit, është shprehur udhëheqësi i këtij formacioni, Erzen Berisha.

“Publiku dhe kjo atmosferë e pejanëve neve na shtyn të ecim tutje. Përndryshe as më të voglën mbështetje institucionale nuk e kemi pasur”, ka thënë Berisha.

E anëtari tjetër, Dr. Nazmi Morina, nuk ka harruar të premtojë se performanca të tilla për publikun pejan e kosovar nuk do të mungojnë, meqë mikpritja e publikut i obligon edhe për më tepër angazhim. /Telegrafi/