Peja sjellë aktivitete kulturore në "Ditët e Jusuf Gërvalles"

PejëPostuar: 15:58 / 28.09.2016

Aktivitetet do të fillojnë më datë 1 tetor, për të përfunduar më datë 3 tetor, shkruan KultPlus.

Jusuf Gërvalla poet, prozator dhe dramaturg shqiptar si dhe atdhetar i shquar, për të dytën herë në Pejë po kujtohet përmes një manifestimi kulturor i quajtur "Ditët e Jusuf Gërvalles".

Aktivitetet do të fillojnë më datë 1 tetor, për të përfunduar më datë 3 tetor. Më datë 1 tetor është organizuar Tribunë tematike “Jusuf Gërvalla dhe krijimtaria e tij muzikore”, e cila do të mbahet në ora 15:00 në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës. Përderisa shfaqja teatrale “Rrno vetëm për me tregue”, e cila vjen nën regjinë e Milto Kutali, do të shfaqet në ora 19:00, në Teatrin “Istref Begolli”, shkruan KultPlus.


Data 3 tetor, do të sjellë ekspozitë nga mësimdhënësit e Shkollës së mesme të arteve aplikative “Odhise Paskali”, kjo ekspozitë do të hapet në orën 12:00, në Galerinë e Arteve DKRS. Këtë manifestim kulturorë kushtuar Jusuf Gërvalles, do ta përmbyllin me një koncert përkushtues nga pedagogë të Fakultetit të Muzikës “Haxhi Zeka” dhe Shkolla e mesme “Halit Kasapolli”, gjithashtu do të ketë edhe një pikë vallëzimi nga Qendra Kulturore për Fëmijë, ky koncert do të shfaqet në ora 19:00 në Teatrin “Istref Begolli”. ‘Ditët e Jusuf Gërvalles’, e organizon Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Pejës.

Jusuf Gërvalla, poet shqiptar dhe atdhetar i shquar, lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, rrethi i Deçanit, nga një familje bujare. Ndërsa është vrarë mizorisht më 17 janar 1982, në Untergruppenbach, Gjermani.

Shembulli i tij mbeti i gjallë ndër intelektualë të kohës moderne, si shkrimtar dhe atdhetar i shquar për liri deri në vdekje.