Peja synon ta shndërrojë Panairin e Librit në ngjarje tradicionale

PejëPostuar: 09:37 / 14.06.2016

Një ditë pas kryeqytetit, Peja është bërë nikoqire e botuesve. Dukshëm më i vogël sesa ai i Prishtinës, ku për gjashtë ditë në edicionin e 18-të shpalosën ofertën e tyre mbi 100 shtëpi botuese, në këtë qytet perëndimor të vendit të hënën është hapur panairi i librit “Peja 2016”.

Ky është edicioni i tretë dhe autoritetet lokale synojnë që ta shndërrojnë në ngjarje tradicionale. Nën tendat e ngritura në qendër të qytetit të Pejës kanë zënë vend rreth 20 botues, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ceremoninë e hapjes së këtij Panairi, i cili organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës, e kanë bërë disa poetë me deklamimin e vargjeve të tyre.

Drejtori i drejtorisë organizatore të Panairit, Engelbert Zefaj, ka thënë se Panairi treditor i paraprin nisjes së manifestimeve të shumta që do të mbahen për shënimin e Ditës së Çlirimit të Pejës, më 16 qershor.

“Ky është edicioni i tretë me radhë i Panairit të Librit, i cili do të shndërrohet në panair tradicional në vitet e ardhshme. Në këtë panair qytetarët kanë mundësi të shikojnë dhe blejnë libra, pasi në mesin e tyre ka edhe botime të reja, që ndoshta qytetarët e Pejës nuk i kanë”, ka thënë Zefaj.

Në mesin e vizitorëve, ka qenë edhe mësimdhënësja në Gjimnazin e Prishtinës, Manushaqe Kelmendi. Ajo ka thënë se i ka shpëtuar pa vizituar Panairi i Librit në Prishtinë për shkak të angazhimeve në punë, e për këtë ka vendosur të vizitojë këtë të Pejës. Me vete ka marrë edhe dy mbesat e saj nga Zvicra.

“Në Panairin e Librit në Prishtinë nuk arrita të shkoja, prandaj erdha këtu në Pejë që të vizitoj panairin dhe t’i shëtis pak mbesat e mia”, ka thënë ajo. Kelmendi nuk ka ndonjë zhanër të veçantë në leximet e saj. Ajo ka thënë se blen librin që i pëlqen në shikim të parë pavarësisht autorit të librit.

“Lexoj të gjitha zhanret pa dallim. Libri që më bie në sy e blej”, ka thënë ajo.

Në mesin e shtëpive botuese e agjencive të librit që shpalosin ofertat për lexuesit është edhe Agjencia e tregtimit të librit artistik e shkencor nga Tirana, e cila është pjesëmarrëse e rregullt e panairit në Pejë dhe panaireve të tjera në Kosovë.

Nga përvoja dhe përshtypja që ka krijuar në panairet e librave në Kosovë, Nazmie Elezi nga kjo agjenci e librave, ka thënë se pejanët janë lexuesit e dytë në Kosovë, pas Prishtinës. Madje tashmë edhe shijen e pejanëve për librat e preferuar ajo ka thënë se e ka mësuar.

“Pejanët më së shumti janë të interesuar për libra historikë dhe libra për fëmijë”, ka thënë Elezi. /Koha.net/