Qytetarët e Pejës i bashkohen nismës kundër privatizimit të kinemasë

PejëPostuar: 11:57 / 20.03.2017

Nismës për të kërkuar anulimin e procesit të privatizimit të kinemasë “Jusuf Gërvalla” i janë bashkuar edhe qytetarët e Pejës.

Rreth dy mijë veta kanë nënshkruar peticionin, i cili është pjesë e kampanjës për rivitalizimin dhe mbrojtjen e kinemasë së qytetit. Festivali “Anibar” e ka rindezur ekranin e kinemasë, pasi e ka marrë atë në shfrytëzim për pesëmbëdhjetë vjet nga Komuna e Pejës. Por qysh nga dita kur u rihap kinemaja e qytetit, e gjithë festa për rifuksionalizimin e saj u kthye në thirrje për të mos u privatizuar objekti. Kjo pasi që Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte njoftuar se objekti është në likuidim.

Komuna e Pejës ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti që të ngrihet procesi i privatizimit të kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Është kërkuar masë e përkohshme derisa ky institucion dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit t’i zgjidhin problemet e krijuara rreth këtij objekti. Edhe një pjesë e komunitetit artistik i ka dalë në mbrojtje kinemasë, nëpërmjet një fushate në rrjete sociale. Nismës, që nga e premtja e javës që shkoi e deri më 28 të këtij muaji, do të mundë t’i bashkohen edhe vetë qytetarët e Pejës.

Nënshkrimet janë duke u mbledhur në disa pika, përfshirë qendrën e qytetit, Universitetin “Haxhi Zeka”, Stacionin e autobusëve, Çarshinë e Gjatë dhe kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Deri më tash, iniciativa “Kino për Qytetin” ka qenë e lansuar online, dhe ka marrë përkrahjen edhe të qytetarëve. Mbledhja e nënshkrimeve nëpër qytet është hapi i dytë në listën e veprimeve kundër procedurës së privatizimit të kinemasë./KohaDitore/