Prishtina do të bëhet me zona kulturore historike

PrishtinëPostuar: 10:26 / 29.03.2018

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova tha se po punohet të identifikohen vlerat historike të Prishtinës dhe më pas të investohen në zona të veçanta historike kulturore.

“Pas identifikimit, ne do të rinovojmë me kalldrëm disa pjesë në qytet dhe ftojmë edhe bizneset të bëhen pjesë në to”, i tha Rugova RTK-së.

Ai nuk ka dhënë shumë detaje se cilat rrugë do të jenë pjesë e zonës historike.

“Në këto pjesë ka edhe prona private dhe publike”, tha ai. Rugova bëri me dije se Komuna po punon për projektet kulturore në kryeqytet, të cilët do ta bëjnë kryeqendrën pjesë të kryeqendrave në aspektin kulturor e historik.

Ai bëri me dije se organizata Swiss Contact do të ndihmojë Komunën e Prishtinës për të zhvilluar projektet kulturore. Sipas tij Prishtina ka shumë objekte historike e kulturore që datojnë me qindra vite.