Akademia e Mbishkrimeve dhe e Letërsisë të Francës dhe ASHAK me marrëveshje bashkëpunimi

PrishtinëPostuar: 17:13 / 14.11.2016

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Mbishkrimeve dhe e Letërsisë të Francës, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit.

Marrëveshja u nënshkrua në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nga kryetari i ASHAK-ut, akademik Hivzi Islami, dhe sekretari permanent i Akademisë së Mbishkrimeve dhe të Letërsisë të Francës, Michel Zink.

Gjatë aktit të nënshkrimit, përveç akademikëve e artdashësve, të pranishëm ishin edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, si dhe ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami. Kësisoj kjo marrëveshje u përcoll me mjaft interes nga këta të pranishëm, ndërsa kryetari i ASHAK Hivzi Islami, tregoi në një fjalë rasti të mirat që sjell kjo marrëveshje për akademinë e vendin në përgjithësi.

“Ne sot po e firmosim marrëveshjen e bashkëpunimit, mbi bazë të së cilës do të zhvillojmë aktivitete me interes të ndërsjellë në ato fusha dhe tema ku kemi mundësi financiare të bashkëpunojmë. Do të këmbejmë kuadro akademikë për tema të ndryshme, do ti këmbejmë botimet periodike dhe jo periodike, do të kemi qasje praktike në biblioteka e arkiva akademike. Marrëveshja ka një kohëzgjatje për tri vitesh, mund të bëjmë amendamente gjatë kohës, për marrëveshjen do të kujdesen dy të deleguarit ku janë një anëtar i akademisë franceze dhe një anëtar i ynë”, tha kryetari i ASHAK, Hivzi Islami, i cili theksoi se shpreson që me këtë marrëveshje po e hapin një kaptinë të re të bashkëpunimit, jo vetëm midis dy akademive, por, sipas tij, kjo do të ketë rëndësi edhe për zhvillimet shkencore e kulturore midis këtyre vendeve.

Ndërkaq, sekretari permanent i Akademisë së Mbishkrimeve dhe të Letërsisë të Francës, Michel Zink, nuk la pa përmendur të kaluarën e Kosovës, që sipas tij është shumë e afërt, duke thënë se me një akademi të tillë ka mbajtur dhe po mbanë gjithë këto vlera.

“Kjo e kaluar e Kosovës shumë e afërt, me një vend të tillë e një akademi të tillë e cila ka mbajtur dhe po e mbanë me kurajë e vështirësi gjithë këtë vlerë e këtë aktivitet intelektual, bën që institucioni ynë të jetë shumë krenar që e kemi nënshkruar një marrëveshje të tillë. Dua të them që ky nënshkrim vjen nga vullneti, diplomacia dhe këmbëngulësia e ambasadorit Muhamedin Kullashi”, pohoi Zink.

Pas përfundimit të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Michel Zink, mbajti në ASHAK një ligjëratë me temën “Subjektiviteti Letrar”.