Ekspozitë nga nxënësit, për nder të shpalljes së pavarësisë (Foto)

PrishtinëPostuar: 09:42 / 15.02.2018

Për nder të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur ekspozitën me temën “10 vjet dritë dhe liri”.

Ekspozita është organizuar në objektin e Galerisë së Fakultetit të Arteve, ku në këtë ekspozitë do të prezantohen punimet e realizuar nga nxënësit e nivelit të arsimit parauniversitar të Komunës së Prishtinës, transmeton InfoKomuna.

Planifikimi dhe organizimi i ekspozitës është realizuar në koordinim me drejtuesit e Fakultetit të Arteve dhe drejtuesit e institucioneve edukativo-arsimore dhe do të jetë e hapur për vizitorë deri më 16 shkurt 2018.

Në këtë ekspozitë, secili institucion edukativo-arsimore përfaqësohet me nga tre punime, të punuar nga nxënësit e shkollave të tyre dhe tre punimet më të mira të nivelit të arsimit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë do të shpërblehen.

Qëllimi i këtij aktiviteti, pos shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ekspozimit te punimeve të nxënësve, është edhe identifikimi i talenteve të ri, nxirrja në pah të shkathtësive e kompetencave të tyre dhe mbështetjen e tyre drejt zhvillimit të imagjinatës krijuese e profesional në fushën e artit. /InfoKomuna/