Librashitësit ambulantë në kryeqytet dy muaj në pritje të konkursit për kioskat
Gati dy muaj pas vendosjes së kioskave për librashitësit ambulantë në kryeqytet, Komuna e Prishtinës ende nuk e ka bërë hapin e radhës për finalizimin e projektit, për ata që tash e 18 vjet pas luftës shesin libra në rrugë.
Konkursi për sistemimin e librarëve, që ishte paralajmëruar qysh më 24 prill, kur nisën të vendoseshin kioskat në shesh, ende nuk është hapur, shkruan sot Koha Ditore.
Zyrtarë komunalë thonë se konkursi do të hapet javën e ardhshme, teksa vonesën e lidhin me komisionin që ka bërë vlerësimin e hartimin e kritereve. Në anën tjetër, për librarët kjo vonesë është veç edhe një stërzgjatje e panevojshme e një procesi që edhe ashtu ka nisur kaherë.
Tetë kioskat prej tre metrash katrorë të ndërtuara me kombinim materialesh siç është çeliku, druri e xhami, janë shpërndarë në sheshin Zahir Pajaziti dhe në Nënë Tereza në kuadër të projektit Këndet e librit.
Erzen Vraniqi nga Zyra për informim e Komunës së Prishtinës, të hënën ka thënë se janë duke i harmonizuar kriteret dhe konkursi hapet javën tjetër.
Çmimi i një kioske për të cilat librarët tash e dy muaj presin konkursin për ti marrë në shfrytëzim ishte përllogaritur të jetë 5 mijë e 700 euro./KohaDitore/