Ministria s'parasheh buxhet për finalizimin e punëve në galerinë-muze "Muslim Mulliqi"

PrishtinëPostuar: 13:54 / 09.11.2016

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit nuk ka paraparë të ndajë buxhet për finalizimin e punëve në galerinë-muze “Muslim Mulliqi”.

Derisa për fazën e parë dhe të dytën janë shpenzuar 125 mijë euro, institucioni më i lartë kulturor në vend, që nga viti 2011 nuk kishte planifikuar investime të tjera, duke i lënë të papërfunduara punët në këtë objekt, shkruan sot “Koha Ditore”.

Enterieri dhe kulmi i objektit, që ndodhet në lagjen “Taslixhe” në Prishtinë, ende s’janë gati. Ato ishin planifikuar të finalizoheshin në një fazë të tretë punimesh, për të cilën nuk është ndarë buxhet asnjëherë.

Piktori Visar Mulliqi, djali i maestros së ndjerë, vitin e kaluar kishte thënë se galeria është gati. Këto deklarata i kishte dhënë pak para kthimit të 35 pikturave të të atit nga Tirana – ku kishin ndenjur për më shumë se 20 vjet – për të ekspozuar në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Rinovimi i galerisë ishte edhe kusht për kthimin e pikturave. Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pikturat ishin ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Ato tani ndodhen të mbështjella në galerinë “Muslim Mulliqi”, e jo të ekspozuara siç ishte paraparë në katin e parë të objektit. Krejt kjo për shkak se punët kanë mbetur të papërfunduara.

Mulliqi ka thënë se para dy vjetësh kishte bërë një kërkesë në MKRS për fazën e fundit të punimeve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Mirëpo ani pse Mulliqi thotë se e kishte dërguar kërkesën në MKRS para dy vitesh Ndue Ukaj, shef i kabinetit në ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur./KohaDitore/