Projekt i ri për rindërtimin e monumentit të shembur në Prishtinë

PrishtinëPostuar: 14:23 / 14.03.2018

Projekti i shtatë vjetëve më parë për ta rinovuar e restauruar monumentin gati njëshekullor në hyrje të asaj që quhet Prishtina e Vjetër ka rënë në ujë.

Tash institucionet i kanë kërkuar pronarit projekt të ri që përfshin rindërtimin e tij ashtu siç ka qenë, shkruan sot “Koha Ditore”. Një javë pas shembjes së pjesshme të objektit - që njihet si ish-Konsullatë austriake, por edhe si ish-Konsullatë ruse e serbe - dhe ndërhyrjes së institucioneve me buldozer kur u rrënua edhe një pjesë, në trotuar ende kanë mbetur gjurmët e këtij rrënimi.

Janë të njëjta me ditën kur ndodhi ky rast, të martën e javës së kaluar, kur në mëngjes u shemb një pjesë e objektit të lënë pas dore për vite të tëra e që shteti e mbron si aset të trashëgimisë me emrin “Shtëpi banimi - Fitim Gjata”.

Pak kanë mbetur nga vlerat e objektit edhe pas ndërhyrjes së institucioneve, me arsyetimin e evitimit të rrezikut për kalimtarët. Vazhdon të jetë e rrethuar me shirita dhe nuk lejohet kalimi në afërsi të saj. Në bazë të asaj që shihet, ndërtesa vazhdon të paraqesë rrezik për qytetarët.

Komuna e Prishtinës, institucionet e trashëgimisë kulturore dhe pronarët janë dakorduar që objekti të rindërtohet.