Të hënën nis festivali "Prishtina Lexon - 2018"

PrishtinëPostuar: 13:55 / 25.05.2018

Komuna e Prishtinës së bashku me 10 organizata joqeveritare organizojnë festivalin e leximit “Prishtina Lexon”, festival ky që synon ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit tek nxënësit dhe e gjithë shoqëria.

Prishtina Lexon ka filluar si festival i leximit që mbahet për ditën e fëmijëve. Në edicionin e sivjetmë festa do të zgjasë 7 ditë dhe përfshinë të gjitha moshat.

Në organizim marrin pjesë 10 organizata joqeveritare që merren kryesisht me lexim, dije, filozofi dhe aktivitete rinore.

Kjo është hera e parë që krahas Komunës së Prishtinës, organizatat e shoqërisë civile e përbëjnë pjesën kryesore të programit, që fillon me 28 maj dhe përfundon me 3 qershor. Në këtë edicion, Prishtina Lexon do të shtrihet në tërë Prishtinën dhe jo vetëm në sheshin kryesor.

Aktivitetet e para do të mbahen të hënën, nëpër shkollat e Prishtinës, për nxënësit e klasave VI deri në IX nga organizata TOKA. Aktiviteti i radhës, në po të njëjtën ditë, është “Nata e letërsisë dhe poetikës”, që do të mbahet në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në ora 20:30.