Teatrin nuk e bën godina, por shfaqjet e mira

PrishtinëPostuar: 11:00 / 11.12.2016

Teatri Kombëtar i Kosovës, për vite me radhë ka qenë tempull i artdashësve dhe kulturës, e cila nga Kosova ka pasur jehonë në shumë vende të zhvilluara të botës.

Në dërrasat e tij kanë shkelur për vite me radhë shumë prej emrave që bënë historinë e lojës para publikut, duke nisur e përfunduar karrierën në të. Megjithatë, sidomos në vitet e pasluftës, entuziazmi i kthimit të ‘banorëve’ në shtëpinë e tyre, duket se nuk shkoi edhe gjithnjë ashtu si pritej. Shumë pak aktorëve ndër vite iu bë vend në Teatër, ndërkohë që shumë prej tyre zgjodhën forma të tjera të të bërit të artit jashtë ambienteve të Teatrit. Ndërkohë që janë edhe gjeneratat e reja të cilat e kanë të vështirë që të bëhen pjesë e shfaqjeve që nënshkruhen me emrin e Teatrit.

Humbja e interesimit të publikut për shfaqjet jo të shumta në Teatrin Kombëtarë, tregon se seriozisht menaxhmenti i saj duhet të merret me punën kryesore që ka, mbushjen e sallave me njerëz që duan të shohin shfaqje meritore në Teatër. Të ndryshme janë mendimet dhe opinionet e art-bërësve në vend, kur është në pyetje dhënie e një mendimi për gjendjen aktuale të Teatrit. Disa prej tyre thonë se institucionet e vendit kanë dhënë mjaftueshëm buxhet për punën e Teatrit, ndërkohë ata që janë brenda Teatrit thonë se nuk kanë para mjaftueshëm.

Arian Krasniqi, dramaturg dhe kryetar i Këshillit Drejtues për Teatrin Kombëtar të Kosovës, tha se gjatë vitit që po e lëmë zhvillimi i teatrit ka qenë pozitiv në kuptimin e numrit të premierave, cilësisë, prezantimit ndërkombëtar dhe rritjes së numrit të publikut. Ndërsa sa i përket shfaqjeve të dramës shqipe dhe asaj të huaj, Krasniqi tregoi që udhëheqësit e teatrit obligohen me ligj që t’i jepet përparësi dramës shqipe.

“Nga pozita e kryesuesit të këshillit drejtues të Teatri Kombëtar të Kosovës mund të jap një vlerësim që megjithatë trendët e zhvillimit në Teatrin Kombëtar të Kosovës në vitin që po e lëmë kanë qenë pozitive në kuptimin e numrit të premierave që janë dhënë, cilësisë së tyre, prezantimit ndërkombëtar të shfaqjeve të prodhuara dhe natyrisht ajo çka është e rëndësishme shtimin e numrit të publikut. Sa i përket proporcionit të dramës shqipe me dramën e huaj ne me ligj obligohemi edhe si këshill por në këtë rast menaxhmenti i teatrit, udhëheqësi artistik dhe drejtori i përgjithshëm obligohen që në procesin e hartimit të politikave artistike të teatrit një përparësi t’i jepet më e madhe dramës shqipe kundrejt asaj botërore”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se apelon që Ministria e Kulturës të shqyrtoi kërkesën e menaxhmentit të Teatrit Kombëtar për shtim të buxhetit dhe kjo rritje të mos jetë simbolike por të vërehet ndjeshëm, ngase, sipas tij, shfaqjet e realizuara gjatë këtij viti arsyetojnë nevojën për ngritje financiare.


“Nga cilësia e kryesuesit të Këshillit Drejtues edhe nga cilësia e të qenit dramaturg pra artist apeloj që Ministria e Kulturës ta marr në konsideratë kërkesën e menaxhmentit për shtim të buxhetit të Teatrit Kombëtar për vitet e ardhshme dhe ky shtim i cili është parë nga viti në vit të mos kufizohet në një lloj shtimi simbolik por realisht të jetë një shtim i ndjeshëm i buxhetit për shkak se me shfaqjet të cilat janë realizuar brenda këtij viti, teatri e ka arsyetuar nevojën për mbështetje më të madhe”, tha kryetari i Këshillit Drejtues për Teatrin Kombëtar.

Arsyet se përse duhet të ndiqet teatri Krasniqi tha se janë të shumta sepse sipas tij gjatë një shfaqje mund të komunikosh me paraqitjen e saj në skenë dhe ja vlen ta shikosh një shfaqje sepse aty ofrohen tema të ndryshme dhe interpretime që na bëjnë të identifikohemi me personazhet, ngjarjen dhe ndodhitë në skenë.

“Teatri duhet të ndiqet për shumë arsye, e para mund të komunikosh me shfaqjen në skenë në mënyrë të drejtpërdrejtë përjashtim prej filmit kur gjithçka është xhiruar dhe transmetohet që të themi post festuam kështu si natyrë shfaqës është më interaktive, është më e drejtpërdrejtë, teatri ja vlen të ndiqet për shkak se ofron tema të llojllojshme, shfaqje dhe interpretime që na bëjnë neve të identifikohemi qoftë me personazhet në skenë, qoftë me ngjarjen, qoftë me historitë që ndodhin aty”, shtoi Krasniqi.

Ndue Ukaj, këshilltari i ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, tha për KosovaPress se të gjitha institucionet kulturore kanë pasur rritje të buxhetit për 20 për qind dhe se ministria çdoherë është në mbështetje të Teatrit në mënyrë që ai të luaj rolin të cilin e ka në çdo shoqëri demokratike.

“Gjendja në institucionet kulturore në përgjithësi është jashtëzakonisht pozitive, në vitin e kaluar kemi rritur buxhetin për institucionet tona, afërsisht 20 për qind të gjitha këshillat drejtues të institucioneve të kulturës në varshmëri të Ministrisë së Kulturës funksionojnë në mënyrë të rregullt. Po ashtu, Teatri Kombëtarë ka këshillin drejtues, ka drejtorin e përgjithshëm dhe drejtorin artistik të cilët punojnë në përkim me ligjet në fuqi me rregullore dhe me programin e tyre si teatër. Ne çdo nismë të tyre e përkrahim dhe e mbështesim dhe natyrisht jemi që teatri të luaj rolin e vetë në shoqëri, rolin të cilin e luan çdo shoqëri të prosperuar dhe demokratike”, tha Ukaj.

Ai shtoi se Teatri Kombëtar ka një buxhet i cili është aprovuar bashkërisht nga ata dhe Këshilli drejtues, gjithashtu përmendi edhe se gjatë këtij viti është plotësuar Ansambli i Rezidencës me aktorë të rinj dhe se janë duke punuar në standardizimin e pagave.

“Teatri Kombëtarë ka një buxhet të cilin ne në bashkëpunim me ta e kemi konsideruar se është i mjaftueshëm, ata e kanë një raport të hapur të cilin e realizojnë në tërësi. Po ashtu, këtë vit është plotësuar ansambli i rezidencës me aktorë të ri, ne po përpiqemi gjithashtu që gjatë vitit të ardhshëm të punojmë diçka edhe në standardizimin e pagave për krijuesit dhe për përformuesit, ku përfshihen edhe aktorët e Teatrit Kombëtarë”, tha Ukaj.

Nga ana tjetër, regjisorja Burbuqe Berisha thotë se teatri ndodhet në gjendje krize, dhe duke funksionuar kështu si është sot ai vizitohet vetëm nga ata që e duan shumë. Berisha thotë që asnjëherë nuk është ftuar nga Teatri si regjisore, dhe nuk arrin ta kuptoj arsyen përse nuk u jepet hapësirë edhe regjisorëve kosovarë, përderisa vendi ka kaq shumë regjisorë të talentuar.

”Teatrin e vizitojnë veç ata edhe e prodhojnë veç ata që e duan shumë, po mendoj që është në krizë në përgjithësi por s’mundemi me verifiku atë sistem pasi që për çdo ditë e më shumë po prodhohen shfaqje edhe nëpër botë edhe brenda Kosovës, shfaqje të cilat janë të suksesshme edhe të cilat ngrehin shumë diskutime rreth tyre. Unë asnjëherë nuk kam realizuar shfaqje si regjisore në Teatrin Kombëtar, e kam udhëhequr për katër vite Teatrin Kombëtar si drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar, por asnjëherë nuk jam ftuar si regjisore për të punuar edhe pse emri im është i njohur si regjisore, për fat të keq vitin e fundit 90 % kanë qenë regjisorë jo shqiptarë në Teatrin Kombëtar, nuk e di cila është politika”, tha regjisorja Berisha.

Ndërsa sa i përket mbështetjes financiare, Berisha thotë se Teatri është i privilegjuar në këtë aspekt, por që sipas pavarësisht shfaqjeve teatrore në vend që janë shumë kreative, është e rëndësishme që të promovohen edhe jashtë vendit.

”Teatri ka pasur disa kriza sa i përket financimit por kohën e fundit buxheti i cili ndahet për teatër karshi kërkesave të institucioneve tjera kulturore teatri është i privilegjuar, pra Qendra Kinematografike dhe teatri janë më të privilegjuar sa i përket buxhetit dhe mendoj që nëse menaxhohet mirë atëherë mendoj që është e mjaftueshme që të ketë edhe program shumë të mirë d.m.th. të shfaqjeve teatrore por edhe lëvizje sepse unë mendoj që kur e bën një shfaqje teatrore duhet të ketë edhe lëvizje jashtë shtëpisë”, tha regjisorja Berisha.

Vetëm cilësia artistike mund të rris shikueshmërinë, thotë Berisha, e cila e cilëson si shumë të rëndësishme mos përsëritjen e emrave të aktorëve, por pret që të ketë më shumë ndërrime ngase Kosova edhe ashtu ka mjaftë aktorë të talentuar. Ajo e cilëson si shumë atraktive për shikuesit edhe ndërtimin e teatrit sot, i cili përbëhet nga pjesa dramatike, muzika dhe vallëzimi.

“Në momentin që ti ofron vlera besomëni që gjithmonë keni me pas shikues, kjo është një ndër formulat që unë e kam analizuar shumë, në momentin që ti din çka po ju ofron shikuesve gjithmonë ki me pas sallën plot, kjo është një prej mënyrave më të mira edhe gjithmonë është mirë që të mos përsëriten emrat e njëjtë të njerëzve por të zbulohet gjithmonë një risi sepse ne kemi mjaft aktorë të ri të cilët po ndërtojnë karrierën e vet ose kemi shumë aktorë të mirë që nuk vërehen fare. Sot janë shumë moderne teatri tre në një, d.m.th. brenda tij ka pjesën dramatike por edhe vallëzim edhe muzikë, që në fakt ka nisur të promovohet tek ne, por janë edhe ithtarët e teatrit klasik që e duan shumë dhe nuk duan të përzihen ndoshta me eksperimente të ndryshme”, tha Berisha.

Burbuqe Berisha tha edhe se në kryeqytet ka shumë zgjedhje sa i përket shfaqjeve teatrale sepse Prishtina ka katër teatro aktiv dhe shikuesit mund të zgjedhin, nëse nuk dëshirojnë të shohin diçka nga dramaturgjia klasike apo moderne mund të shohin shfaqje nga teatri alternativ.

Sipas saj pozita e Teatrit në Kosovë është në nivelin mesatar sepse Kosova ka krijues të mirë, regjisorë, aktorë, si dhe bashkëpunëtorë që dinë dhe mund të prodhojnë shfaqje cilësore në teatër.