Dokufest XVI shpall programin e filmave në garë

PrizrenPostuar: 16:13 / 10.07.2017

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest shpalli sot programin e filmave në garë për edicionin e 16-të, i cili do të mbahet nga 4 deri 12 gusht në Prizren.

Festivali, ku përfaqësohen 50 shtete, në gjashtë kategoritë garuese do të shfaqë 102 filma, përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Tetë filma në kategorinë kombëtare poashtu do të kenë premierën botërore në festival.

“Filmat dokumentarë të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale e karakterizojnë përzgjedhjen e këtij edicioni të DokuFest, me një numër të filmbërësve që rikthehen e prezantohen për herë të dytë ose tretë në festival, ku do vijnë dhe filmbërës të rinj, puna e të cilëve është përfshirë nëpër seksionet garuese”, deklaruan sot organizatorët.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World, programin e kuruar për temën qendrore të festivalit “E ardhmja”, programin retrospektiv të një filmbërësi të rëndësishëm amerikan si dhe programet tjera speicale.

“DokuFest është i vendosur të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë”, u shpreh drejtori drtistik i festivalit Veton Nurkollari. “Ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë, publikut tonë në rritje”, theksoi ai.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016, ndërsa janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë edhe yjet botërorë si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan.