Në Teatrin Profesionist të Prizrenit u dha premiera e dytë për këtë vit

PrizrenPostuar: 08:47 / 23.11.2016

Raporti që ka shoqëria me pushtetin, të cilin e zgjedh vetë, e i cili më pastaj mbyll veshët kundruall halleve të përditshme të njerëzve, është tema që trajton “Arti i Komedisë” me tekst të Eduardo de Filippo, e inskenuar nga trupa e Teatrit Profesionist të Prizrenit, nën regji të Kastriot Çipit.

Ky i fundit ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një dramë që e shtyn publikun të mendojë, prandaj dhe është përcaktuar për realizimin e saj. Kësisoj, të hënën mbrëma, është dhënë premiera e “Artit të Komedisë”, me ç’rast në fund publiku për disa minuta rresht nuk i ka ndalur duartrokitjet për ekipin e artistëve që kanë realizuar këtë projekt të ndërlikuar teatror.

Regjisori Kastriot Çipi ka thënë se porosia e dramës vlen për klasën politike të Ballkanit në përgjithësi, që duhet të jetë më e përgjegjshme karshi shoqërisë dhe vetë teatrit në veçanti.

“Shqipërinë e njoh më mirë se Kosovën, por kam përshtypjen se problemet e teatrit janë pothuajse njësoj në Ballkan. Ama çështja është se kjo temë (e dramës v.j.) nuk kufizohet vetëm në problemet e teatrit. Rezonanca e saj është shumë më e gjerë, pasi këtu bëhet fjalë për raportin që ka shoqëria me pushtetin që e zgjedh vetë, se sa na takon ky pushtet pasi e zgjedhim, sa ky pushtet ka vesh të dëgjojë, sepse në fushatë ka gojë të flasë, të premtojë, por në shumicën e kohës nuk ka vesh të dëgjojë pasi e ka marrë votën. Mendoj që në këtë rast Kosova nuk bën përjashtim. Mendoj se tema është aktuale edhe në Kosovë”, ka thënë Çipi.

Në të njëjtën kohë është shprehur mirënjohës për angazhimin e ekipit të aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, duke veçuar edhe interpretimin e rolit të prefektit nga Alban Çela.

Pos Çelës, kanë luajtur edhe Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli, Alban Krasniqi, Hajat Toçilla, Alban Morina, Enis Meta, Luan Kryeziu, Laureta Paçarizi, Edona Sopaj, Rifat Smani, Zanë Duraku dhe Atdhe Kasapolli.

Drejtori i Teatrit Profesionit të Prizrenit, Fetah Paçarizi, ka nënvizuar se drama e realizuar së fundi është premiera e dytë brenda këtij viti, gjatë të cilit ky teatër ka marrë pjesë edhe në festivalet jashtë vendit, duke e kurorëzuar me çmime suksesin e treguar.

“Arti i komedisë” vjen pas premierës e komedisë “Mbledhje në Parlament” nga Ray Cooney, e cila u dha në muajin prill./KohaDitore/