Poçet e ndriçimit në Kalanë Prizrenit, vendosen ditën, shkatërrohen natën

PrizrenPostuar: 11:49 / 02.09.2016

Thyerja e poçeve për ndriçim në shtigjet që dërgojnë në Kalanë Prizrenit janë kthyer në dukuri.

Qytetarët që e vizitojnë shpesh këtë zonë shprehen të brengosur për këtë fenomen që po i jep një imazh të keq qytetit turistik, derisa fajësojnë organet e rendit që nuk po bëjnë më shumë në kapjen e autorëve, shkruan Gazeta Kosova Sot. “Autoritetet komunale çdo ditë i vendosin të reja dhe befasisht në mëngjes shumicën e tyre i kemi të thyera”, tregon Bashkim Gashi. Të njëjtin shqetësim e ka edhe Sadik Çollapeku, me profesion mësues.

Nuk ka asnjë pistë hetimi

Nga ana tjetër, policia në Prizren ende nuk ka asnjë pistë hetimi lidhur me thyerjen e poçeve elektrik në shtegun e ecjes për në kala të qytetit. Rreshteri Vesel Gashi tha se edhe pse ai shteg është në shërbim të qytetarëve, megjithatë po dëmtohet nga qytetarët e pandërgjegjshëm. Për këtë fenomen janë informuar edhe zyrtarët komunalë. Për këtë është shprehur i shqetësuar edhe drejtori i Turizmit, Haxhi Seferqaj.

“Pas dëmtimeve të rënda që janë bërë në Kalanë e Prizrenit, duke e dëmtuar ndriçimin e kësaj pike më të njohur turistike jo vetëm për Prizrenin, por ndoshta për gjithë Kosovën, është dëmtuar edhe imazhi i qytetit”, ka thënë Seferqaj, i cili me këtë rast ka apeluar te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit për gjetjen e autorëve. Sipas tij, ajo që e bën këtë dukuri me shqetësuese, është fakti që institucionet përgjegjëse, të cilat janë të obliguara që të sigurojnë pasurinë publike, nuk e kanë parë të udhës të ndërmarrin as një hap apo veprim në lidhje me ruajtjen e kësaj pasurie, të përbashkët qytetare, edhe përkundër shkresës njoftuese zyrtare të cilën Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik i ka drejtuar organeve gjegjëse, në këtë rast Policisë së Kosovës dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren. Ai ka njoftuar se shuma e mjeteve, të cilat janë investuar nga Komuna në ndriçimin dekorativ të Kalasë, ka kushtuar hiç më pak se 17.959 euro.

Mesazh i keq për turistët

“Dëmtimi i qëllimshëm i ndriçimit të kalasë, jo vetëm që varfëron buxhetin e Komunës së Prizrenit, i cili sigurohet nga taksapaguesit tanë, por përcjell edhe një mesazh negativ, e jo civilizues, tek të gjithë turistët dhe vizitorët e qytetit tonë”, thotë Seferqaj. Ai bën me dije se tashmë ka ndarë edhe një buxhet shtesë për rregullimin e atij shtegu. Autoritetet komunale të Prizrenit janë zotuar publikisht se këtë vit do të ofrojnë përkrahje financiare për funksionimin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, e këtu edhe për ndriçimin e rrugës për në kala./KosovaSot/InfoKomuna/