Prizren, nis pastrimi i krojeve monumentale

PrizrenPostuar: 11:06 / 23.06.2017

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar së zbatuari projektin për pastrimin e krojeve publike në qytetin e Prizrenit.

Gjatë punimeve të pastrimit të krojeve publike në qytetin e Prizrenit në kuadër të ndërhyrjeve për restaurim dhe konzervim janë konstatuar dëmtime të theksuara në sipërfaqet e krojeve të gurit nga faktorët atmosferikë, mbetjet e pluhurit, ngjyra, kriposja, myshqet, kërpudhat si dhe bakteret të cilat kanë shkaktuar dëmtimin e krojeve.

“Ky projekt është sa kompleks aq edhe interesant pasi që për herë të parë po veprohet me ndërhyrje profesionale të pastrimit në krojet publike të qytetit të Prizrenit duke aplikuar metodat e pastrimit kimik dhe mekanik të krojeve publike”, thuhet në njoftimin e QRTK-së në Prizren.

Aktualisht janë duke u zhvilluar punimet për pastrimin e kroit të Esma Hanëm-it që gjendet në oborrin e Muzeut Arkeologjik të Prizrenit për të vazhduar me kroin e Haxhi Ramadanit (Qorr Aga) që gjendet afër Muzeut Arkeologjik.

Gjatë këtij procesi të punës në radhë për t’u pastruar janë edhe kroi i Bimbashit, Beledijes, kroi pranë xhamisë së Sinan Pashës si dhe 6 Krojet në afërsi të lagjes së Marashit.

“Projekti ka të bëjë me pastrimin e myshqeve, njollave dhe papastërtive tjera nga sipërfaqja e krojeve që janë shtresuar me vite të tëra. Përkujdesi institucional ndaj aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren me aplikim të metodave profesionale mundëson jetëgjatësinë e tyre duke e ruajtur origjinalitetin që kanë”, thuhet në njoftim.
/InfoKomuna/