Zgatari, vendlindja e Ymer Prizrenit [Video]

PrizrenPostuar: 08:41 / 13.10.2016

Regjioni i Opojës është trevë fushore e rrethuar me male, njëra ndër tërësitë territoriale malore të maleve të Sharrit, në pjesën jugore të Kosovës, raporton KTV.

Fshati më i vjetër i këtij regjioni konsiderohet fshati Zgatar, i cili dikur kishte numër më të madh të banorëve, por që tani, i ballafaquar me fenomenin e braktisjes, ky numër gradualisht është në rënie, ku vërehet qartë se në shumë shtëpi nuk jeton askush.

Emri i fshatit mendohet të ketë ndërlidhje me shtrirjen e fshatit, i cili shtëpitë i ka të renditura në formë të zgjatur, në dy anët e rrugës kryesore të fshatit, andaj edhe emrin Zgatar e ndërlidhin si emri i një fshati të zgjatur.

Veçanti tjetër ka edhe pjesa e quajtur Gjermon, prejardhja e emrit të të cilit nuk dihet, megjithëse ekzistojnë mendime të ndryshme për këtë.

Një fakt me rëndësi historike është se fshati Zgatar i Opojës është edhe vendlindja e atdhetarit të shquar Ymer Prizreni, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Nga Zgatari e kanë prejardhjen edhe figura të tjera që kanë kontribuar në çështjen kombëtare, sikurse edhe Nuri Jenuzi, të cilin e kujton nipi i tij, i cili edhe e mban emrin e tij dhe prej vitesh jeton në mërgim, madje ka shkruar edhe libra për mallin për vendlindjen.

Banorët e Zgatarit kryesisht merren me bujqësi dhe blegtori, ku edhe kushtet e përshtatshme klimatike mundësojnë që cilësia e prodhimeve të jetë mjaft e mirë.

Në këtë fshat ka edhe atraksione të tjera, të cilat kërkojnë vëmendje. Shpella e Zgatarit, mjaft e njohur për banorët, të cilët përveç shumë ngjarjeve ndër gjenerata kanë thurur edhe disa legjenda, megjithatë ende nuk është hulumtuar dhe është mjaft interesante për ekspedita të speleologoëve në të ardhmen.

Rrëfimin e plotë ndiqeni në linkun e mëposhtëm: