Në Rahovec shënohet Dita Botërore e Poezisë me krijimtarinë e poetit Xhevdet Bajraj

RahovecPostuar: 14:39 / 22.03.2017

Me organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Qendrën Rinore SHL-Kosova, në qendrën e kulturës “Mensur Zyberaj”, u shënua Dita Botërore e Poezisë.

Kjo orë letrare iu kushtua poetit rahovecas Xhevdet Bajraj, i cili jeton e punon në Meksikë.

Për veprën e poetit Bajraj foli krijuesi Hazir Luta, i cili e vlerësoi atë si poet me dimensione ndërkombëtare.

Ndërsa drejtori i Kulturës Gardalin Shtavica, theksoi se për herë të dytë me radhë organizohet aktivitet kaq i madh në kuadër të Ditës së Poezisë, ndërsa përcaktimi për poetin Xhevdet Bajraj është i natyrshëm, ngase ai është krenaria e Rahovecit.

“Me krijimtarinë e tij poetike Xhevdeti i ka siguruar vetes një vend me rëndësi në këto hapësira”, ka thënë Shtavica.

Shefi i sektorit për Rini, Qemajl Krasniqi potencoi faktin se poezia e Bajrajt është e përbotshme dhe tashmë i ka kaluar kufijtë kombëtar. Për veprën e Xhevdet Bajrajt folën edhe krijuesit Milazim Bajraj, Bedri Dula dhe miku i tij Dr. Skender Gashi.

Më pas nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Rahovecit kumtuan disa poezi të zgjedhura të poetit Xhevdet Bajraj.