Restaurohet shtëpia e familjes Kolshi dhe Skenderi në Prizren

PrizrenPostuar: 16:29 / 04.03.2020

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha ka inspektuar punimet restauruese të cilat po bëhen në shtëpinë e familjes Kolshi dhe Skenderi në qytetin e Prizrenit. Gjatë kësaj vizite ai është njoftuar për së afërmi rreth ecurisë dhe dinamikës së punimeve që po zhvillohen në këtë ndërtesë nga ana e organit mbikëqyrës.

Drejtori i QRTK-së në Prizren, gjatë kësaj vizite është shprehur se “shtëpia e familjes Kolshi dhe Skenderi, bazuar në stilin arkitektonik, teknikës dhe materialit të ndërtimit, ruan vlerat artistike dhe arkitekurore të saj, andaj edhe është bërë pjesë e programit të QRTK-së në Prizren”

Ndërkaq në anën tjetër pronarët nga familja Kolshi dhe Skenderi, si përfitues të këtij projekti kanë falënderuar Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Ministrinë e Kulturës, për vëmendjen e shtuar që po tregojnë në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit.

Kjo shtëpi sikurse edhe shumë ndërtesa të tjera që po restaurohen në Prizren i është nënshtruar procesit të restaurimit në kuadër të zbatimit të programit masat preventive- intervenimet emergjente financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /InfoKomuna/