Shembjet në Kalanë e Novobërdës s’ndalen, punëkryerësi ende pa raport

Postuar: 09:52 / 15.04.2019

Shembja e fasadës së gurtë të Kalasë së Novobërdës s’ka të ndalur. Një muaj pasi institucionet vendore e ndërkombëtare ishin alarmuar se muret e qytetit të epërm, dy vjet pas restaurimit e konservimit kanë nisur të shemben, gjendja është edhe më e rëndë.

Tri shembje të fasadës së mureve të jashtme e një tjetër sipërfaqe brenda, kishte monumenti muajin e kaluar kur edhe llaçi është marrë për analiza nga kompania punëkryerëse, shkruan sot “Koha Ditore”. Po kjo kompani e ka shkelur afatin që kishte dhënë për analizën e materialit, që do të jepte përgjigje edhe për shkakun e shembjeve. Tash gjendja ka ndërruar.

Në anën veriore është shembur edhe një sipërfaqe tjetër në muret e jashtme të kalasë. E nga brenda, gurët nuk kanë qëndruar në një hapësirë që qysh në mars, por edhe më herët, vërehej se ishte ënjtur. Në bazë të asaj që shihet, shembjet nuk do të përfundojnë me kaq, pasi muret janë të fryra edhe në disa pjesë.

Islam Vllasaliu deri para një muaji ishte rojtari i vetëm i Kalasë që është restauruar nëpërmjet një projekti, që ka filluar në fillim të vitit 2015 dhe ka përfunduar në tetor të vitit 2016, i financuar nga Komisioni Evropian me 1.1 milion euro. Palët punëkryerëse janë kontraktuar e mbikëqyrur nga UNESCO-ja.

Vllasaliu, që nga muaji i kaluar është bërë edhe me dy kolegë shkaku i rrezikut që paraqet monumenti. Tre rojtarë kujdesen që vizitorëve të mos u lejohet t’i afrohen qytetit të epërm pasi zona paraqet rrezik. Monumenti vazhdon të jetë i rrethuar me shirita që paralajmërojnë rrezikun.